Kjo është situata tek barrikada në dalje të Zubin Potokut

Pas shumë shpërthimeve që ndodhën në Mitrovicën Veriore, situata sot duket më e qetë tek barrikada në dalje të Zubin Potokut, në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut.

Kështu thonë burime, por që theksojnë se është vërejtur vendosje shtesë e kamionëve në barrikadën në atë pikë.

LEXO EDHE KETE

Sulmi me shok bombë ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Veri, deklarohen nga policia

SHBA-ja ka kërkuar largimin e barrikadave dhe shtensionimin e situatës, por autoritetet e Kosovës kanë thënë se kjo do të ndodh vetëm në bashkëpunim me KFOR-in.

Derisa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se NATO-ja është e fokusuar në situatën e krijuar në veri të Kosovës, derisa bëri thirrje për ulje të tensioneve.

Ai deklaroi të martën për “France 24”, se forcat e NATO-s janë vigjilente, të vëmendshme, të gatshme dhe se po e “përcjellin situatën nga afër”.

“Mesazhi im për të gjitha palët e shqetësuara është të përmbaheni nga retorika dhe veprimet përshkallëzuese si dhe të ndihmoni në uljen e tensioneve. Forcat tona atje janë të gatshme, vigjilente. NATO-ja dhe BE-ja po punojnë ngushtë së bashku”, deklaroi Stoltenberg.

Ndryshe që nga 10 dhjetori rrugët që çojnë për në veri të vendit vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë.

Kjo, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë, në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së.

Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan./Botapress.info/

ngjashme