Më shumë se 80.000 turistë janë bllokuar në qytetin Sanja në Kinë, pasi autoritetet kanë marrë vendim për izolimin e tij për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Autoritetet kineze kanë anuluar të gjitha fluturimet dhe udhëtimet me tren nga Sanja, që ndryshe njihet edhe si “Havai i Kinës”, pasi të shtunën janë konfirmuar 263 raste pozitive.
Të gjithë udhëtarët duhet të kenë pesë teste negative në koronavirus, të kryera në shtatë ditët e fundit, ashtu që t’iu mundësohet dalja nga qyteti.
Kina është ndër shtetet e pakta në botë që ende zbaton politikën e “zero rasteve me COVID”.Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar më pak se 15.000 vdekje me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë.
Megjithatë ka shqetësime për ndikimin e kufizimeve kaq të ashpra në ekonomi.Kufizimet në Sanja, qytet në jug të ishullit Hainan, janë bërë të ditura në pikun e sezonit turistik.Shërbimet thelbësore, sikurse dyqanet ushqimore dhe farmacitë mbeten të hapura, mirëpo qendrat e argëtimit janë mbyllur prej javës së kaluar, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
Sanja nuk është qyteti i vetëm kinez që i është nënshtruar izolimit në muajt e fundit.
Rreth një milion njerëz në një lagje të Vuhanit – vend ku është identifikuar koronavirusi për herë të parë më 2019 – janë izoluar pas identifikimit të katër rasteve asimptomatike me koronaviurus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.Deri më tani janë regjistruar mbi 6 milionë njerëz të vdekur me këtë virus./Botapress.info/