Ngjarja zhvillohet nga rrethi i rrugës B e deri te rrethi i spitalit.
Kolonë e gjatë.
Kaloi gati një orë, duke “ecur” me kerr.
Kishte kushte edhe të lexoje, nëse di të lexosh.
Në çantë e kisha Metamorfozën.
Ky Franz Kafka është aq i mërzitshëm, më i mërzitshëm se lufta.
As nuk e do jetën, as nuk vdes.
Njeriu i vuajtur ta shishmon vdekjen, sepse vuajtja e përhershme është kaq jonatyrore, e neveritshme, dhe kur teprohet – bëhet qesharake.
Mbërrin në gjysmë të librit dhe personazhi i tij ende nuk mund të ngritet nga shtrati.
Të hidhet t’i thuash: Po hajde, çu më vdiq, se s’bëhet nami…se sikur të ishte zor të vdiset, s’do të vdsnin fëmijët dhe pleqtë.
Por, kështu ndodh gjithmonë: Më lehtë e fiton luftën me armikun sesa me vetveten.
E lëshoj radio Kosovën. Ende në radio flet ai gazetari i vdekur dhe të uron ditë të mbarë.
Vazhdojnë dëshirat muzikore të dëgjuesve të Radio KFOR-it.
Këndon Smokie: “I’ll Meet You at Midnight”, anipse është orë policore.
Askush nuk i bie borisë, askujt nuk i ngutet.
Djathtas e ndjeva, dikush më sodiste. Po ma bënte me dorë.
E kishte çu gishtin e madh si lugë të makiatos, dhe e drejtonte në drejtim të gojës së tij. Pantomima dëftonte se burri më ftonte në kafe.
Gojën e tij, pra, e përdorte për filxhan, e gishtn e madh si lugë (sheqer nuk pashë).
Burri nuk hiqte dorë nga kërkesa për kafe.
E bëra veten të qesh me mendimet e mia, qysh njerëzit e mençur e shfrytëzojnë çdo moment për të përfituar diçka….m’u hidh t’i them: kafe jo, veç nëse do i ndërrojmë kerret kry’ për krye, ama njëherë shko laje kerrin (ai e kishte kerrin X6, e unë Mercedes siç dihet…)
P.S. Nëse ndodh lufta qysh e ka parashikuar Presidentja, as s’ke pare, për ta blerë shpëtimin, as armë për t’u mbrojtur, por që është edhe më keq, as infrastrukturë rrugore për të ikur.
Qeveria e Kosovës e ndalon pjesëmarrjen në dasma, por e ofron FSK-në për pjesëmarrje në luftën e Ukrainës.
Në Kosovë aktualisht më vdekjeprurëse është të martohesh sesa të luftosh.
Prishtinë, 25.02.2022