1. Në njërën anë Zoti e shkruan fatin e secilit, e në anën tjetër, ‘vullneti i lirë’ ka faj!
Por ti, nëse nuk do të vuash, mos shko larg. Ndalu tek predestinimi, se neve kur na ndodh mërzia, larg qoftë, na qetëson vetëm të themi se ‘ka qenë e shkruar nga Zoti’ (Al Qadr), sepse ju keni thënë se pa lejen e Zotit nuk ndodh asgjë, pra as e keqja nuk ndodh ‘pa leje’.
Pastaj na e pështjelloni, e përmendni ‘vullnetin e lirë!
Kush është ai që me vullnet të lirë s’do të zgjidhte të ishte më i bukuri, më i lumturi, më i pasuri, i pari, kryesori, por ama nuk të lë tjetri të jesh…lumturia jote është e kushtëzuar nga tjetri, nuk varet prej teje.
Imami Tërnava për Bajram foli edhe për vetëvrasjet dhe për aksidentet! Aksidentalen nuk e njeh religjioni, sepse ‘çdo gjë ndodh me një arsye’ dhe është shkruar të ndodh!
Prandaj, nervozohem shumë kur e dëgjoj hoxhën që rezonon si hoxhë e flet si ‘shkencëtar’! Që vendos (vullneti i lirë) njeriu të bëhet i keq për veten e tij, ka logjikë, por trego ti se ku hyjnë ‘krimet dhe sherret që bëhen pa dashje, pa vullnetin e lirë’!
– Ku hyjnë viktimat?
– Kush zgjedh të bëhet viktimë?
Më mirë mos mendo, se edhe kanë thënë se është gjynah të bësh pyetje për Zotin’, se pyetjet e zbulojnë padijen, e padija është e pafund si gjithësia, prandaj populli thotë ‘shyqyr që na mban padija’, që do të thotë, sipas popullit, ‘e vërteta’ duhet të jetë edhe më e ‘keqe’ se padija!
2. Ajo ishte një aktore e sjellshme, e edukuar, nuk ofendonte, nuk fliste për mërzitë e saja personale, përpiqej t’i këshillonte të tjerët dhe prandaj nuk e fitoi ‘lojën’ në Big Brother.
E pashë një ditë duke u ngjitur përpjetëzes së Bregut të Diellit me veturë të vjetër – teneqe, të kaltër si këmishë polici… I dhashë përparësi, m’u falenderua, ajo nuk e dinte se nuk e bëja nga mirësia, por kisha frikë po më kthehej përmbas…
– Më erdhi keq, sinqerisht, por s’më erdh marrre, edhe qesha, edhe e komentova: ‘O Zot, si Çkalja në film, nuk i ngreh kerri…gjynah’.
3. Se, i dashur hoxhë, krejt njerëzit e këqij i kanë zënë vendet më të mira të punës, e ne shembëlltyra shih se ku na ka prurë neve ‘vullneti i lirë’.
Atyre po u ndihmon, kush po thua ti…ai djalli që e bëri shokun e burgut të Jusufit ta harronte porosinë e Jusufit që t’ia përcjellte mbretit.
Djalli e bëri ish të burgosurin ta harronte porosinë e Jusufit, djallin s’e gjetë gjë, e Jusufi mbeti në burg për edhe disa vjet, pa fajin e tij, veç pse ishte bukurosh dhe e ngacmonin gratë, pa fajin e tij.
Dhe në qeli vazhdoi t’i interpretonte ëndrrat e të burgosurve derisa nga burgu e nxori ëndrra e mbretit:
– Çfarë do të thotë nëse sheh ëndërr që 7 lopë të holla i hanë 7 lopë të majme!
4. Vetëm imamët dhe hoxhallarët kanë ditur të depërtojnë tek rinia e sotme, kanë hyrë kudo ku është rinia, në botën virtuale, e jo në realitet se aty nuk rrinë rinia…
dhe me ofertën për ‘botën tjetër’ i kanë bërë ‘për vete’ rininë.
Bravo ju qoftë.
Të rinjëve të sotëm u intereson veç Loja dhe Feja…dhe pasurimi i shpejt, pa punuar.
– Vajzat e reja ankohen se djemtë e sotëm janë paragjykues dhe me mentalitet!
– Çudi!
5. S’do të kishte të paguar nëse feja do të arrinte t’i bindte edhe tregtarët myslinanë të mos i vjedhin myslimanët se s’ka kuptim, ka Zot…
– Ka shumë dyqane ku nuk shitet rakia për hatër të Zotit, punëtorët agjërojnë, por kusurin ta vjedhin.
6. Dikush në shenjë porteste nga atmosfera qind për qind myslimane, dilte në mejhane dhe pínte birra;
dikush gjithmonë rrenë që agjëron për t’u dukur njeri ‘nornal’,
e mua në Ramazan gjithmonë më kujtohet tregimi për një serb që gjatë Ramazanit nuk ka ngrënë as nuk ka pirë para fqinjëve të tij myslimanë, dhe për këtë gjest e ka fituar xhenetin.
7. Momentalisht, për myslimanizëm askush nuk i afrohet Edi Ramës.
Aq shumë i do myslimanët kjo zemër ortodokse sa që e ka formuar simbolin e zemrës me një palë tespihë.
E ka organizuar një iftar të madh si festival, jo me paret e veta, por nijeti është me rëndësi…
dhe kështu na e ka bërë të mundur të shohim se sa shumë shqiptarë të ‘mirë’ ka Shqipëria, Kosova por edhe Maqedonia.
Krejt njerëzit e ‘mirë’ të Edi Ramës janë të pasur.
– Në iftarin e shtruar nga Edi Rama ishin ulur gra e burra në një sofër, por në restorantet e Kosovës për iftar gratë ulen në njërën anë, burrat përballë tyre, dhe kjo ndarje është e natyrshme, nuk i ndan paragjykimi, por thjesht s’u shkon muhabeti burrave me gra e grave me burra!
8. Para se të bëhet president i fukarenjëve më të mëdhenj në Evropë, Arben Taravari e ka blerë në Shkup një shtëpi 1 milionë euro!
Se ku i ka marrë 1 milionë euro…padyshim ia ka dhënë ‘vullnetin i lirë’.
Pasi e bleu shtëpinë, i vendosur dhe kategorik tha:
– ‘Nëse nuk bëhem president i Maqedonisë, do të heq dorë nga politika’.
Ne ende pa e njohur kush është – ky do të heq dorë.
Mos.
9. Do shqiptarë thonë se Albin Kurti po e shfrytëzon Arben Taravanin për t’ua marrë nga dora Maqedoninë, do shqiptarëve të tjerë!
Unë nuk mendoj se Albin Kurti po i përçanë shqiptarët e Maqedonisë, sepse krejt shqiptarët janë të përçarë, s’ka mbetur gjë për të përçarë.
Por unë nuk e kuptoj se pse Albin Kurti hyn ‘në mal pa sakicë’…kur e di shumë mirë se fitojnë maqedonët, edhe pa u ndihmuar ky!
Shqiptarë të bashkuar, a keni parë?
Edhe në luftë, me nga dy ushtri…
Sa herë që janë bashkuar shqiptarët, i ka bashkuar perëndimi!
Prandaj, askush s’i merr seriozisht shqiptarët, as perëndimi as lindja, se i dinë për dyfytyrësh, laramanë.
– Në posterin që paralajmëron tubime zgjedhore me opozitën e Maqedonië në Berlin e në Zvicër, rrumbullaku në poster ku është vendosur fotografia e Albin Kurtit është më i madh se rrumbullaku i të tjerëve, edhe i Taravanit…
– Albin Kurti duket si tepsia kryesore (me petulla)…!
9. U mundua pak të na e sqaroj situatën Menduh Thaçi…
Por, nuk të lë Ramabaja, i cili e do Albinin që ia sheh gabimet e mëkatet, por nuk e do Zotin, të cilin e paragjykon dhe e refuzon anipse nuk e sheh…kaq ‘ekstremist në dashuri’ është ky.
Por, askush nuk e sqaron se pse të
gjithë i thonë Sadri Ramabajës ‘udbash’, dhe Sadriu qëndron vertikalisht!
Janë bërë aq shumë shqiptarë që i thonë ‘udbash’ sa që…ky s’ka mbetur më as udb-ash serioz.
Ndoshta njeriu e ka të
shkruar të bëhet ‘udb-ash’!
Ndoshta bëhet ‘udb-ash’ me ‘vullnet të lirë’!
10. Ama, dosjet duhet të hapen, që të dihet se kush prej shqiptarëve i ka treguar UDB-ës se shqiptarët duan liri!
11. Unë s’dua tjetër veç të ma
ndryshosh mendimin.
– Ndryshoma.
Unë mendoj se pa qenë bushtër, i paditur, spiun, hajn, kriminel, pis, i pashpirtë dhe i poshtër – në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni nuk mund të bëhesh rehat, nejse ‘vullneti i lirë’ ta ndihmon pak.
12. Për herë të parë Lumiri e ka bërë një urim për Bajram më të bukur se Albini!
Albini e ka shkruar gabim ‘për hajër Bajrami’ se thuhet ‘hair’ e jo ‘hajër’, ndërsa Lumiri ka kërkuar nga ju që të mos keni ‘mirësi’ vetëm në festa, por të keni mirësi përditë.
Dëshirë e parealizuar, por Lumiri merret me këso gjëra utopike.
– Aq rrallë ndodh mirësia, sa që mirësia është festë, për të mos thënë fenomen.
13. Enver Hoxhaj është bërë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, veç edhe të kishte pasur shkencë dhe art Shqipëria..
– E ky Enveri a është shkencëtar a artist?
O Akademi idiote!
P.S. Sot në mëngjes e pashë një ‘poet’ të vjetër, i veshur bukur dhe me çantë pune në dorë.
Gruaja e tij, mbante qese të kaltër me bërllog në dorë, veshur e kishte një bluzë të vjetër e të kuqe me mëngë të shkurta.
‘Poeti’ qëndronte tre metra larg saj.
E priti (tre metra larg) derisa gruaja e hodhi në kantë qesen me mbeturina dhe pastaj e vazhdoi rrugën, gjithnjë tri metra para saj!
– Qe, kush shkruan ‘poezi’ për dashurinë!
‘Sönmez kor gibi zalim’.