Këto janë ilaçet për kafshë me të cilat dyshohet se Arianit Sllamniku “trajtoi” fëmijët me autizëm

Ilaçe kundër krimbave të kafshëve, produkte të dyshuara veterinare, tableta antiparazitare, shiringa dhe sisteme infuzioni janë pjesë e materialit të sekuestruar nga Policia në Gjilan, në një rast që tashmë ka përfshirë Prokurorinë Themelore, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Farmaceutik dhe që pritet të trajtohet edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

 

Sipas dokumenteve të siguruara nga Front Online, këto preparate, disa prej tyre të dyshuara për përdorim veterinar, janë gjetur në objektin e vetëquajtur “ordinancë” të Arianit Sllamnikut në Gjilan, i cili përmes rrjeteve sociale promovonte idenë se trajtonte fëmijë të prekur nga spektri autik.

Dokumentet zyrtare të siguruara nga Front Online zbulojnë se në mesin e produkteve të sekuestruara janë gjetur edhe Panacur dhe Fenbendazole, preparate që njihen kryesisht si ilaçe veterinare kundër parazitëve/krimbave te kafshët.

 

Sipas informacioneve të siguruara, Fenbendazole është antihelmintik veterinar, i përdorur kryesisht për trajtimin e parazitëve te kafshët dhe nuk është i aprovuar për përdorim te njerëzit.

Megjithatë, këto produkte, sipas dosjes, dyshohet se kanë hyrë në një zonë të errët përdorimi jashtë kontrollit mjekësor, brenda objektit të vetëquajtur “ordinancë” të Arianit Sllamnikut në Gjilan.

 

Nga dosja e siguruar nga Front Online, shihet se në mesin e produkteve të sekuestruara nga organet e hetuesisë figurojnë: 14 tableta Panacur10 tableta Fenbendazolenjë pako e zbrazur me tableta Ivermectinnjë pako Ivermectin me 60 tableta, ndërsa në qese të tjera figurojnë edhe produkte si IverQuestTorpidolAlbastarAlbendazolMethylen Blue, si dhe shiringa e sisteme infuzioni.

Pikërisht prania e këtyre produkteve e bën rastin shumë më të rëndë se një sekuestrim i zakonshëm barnash. Në mesin e materialit të sekuestruar ka preparate që lidhen me përdorim veterinar, produkte antiparazitare, si dhe pajisje që mundësojnë administrimin e substancave, si shiringa dhe sisteme infuzioni.

Ivermectin, një tjetër produkt i gjetur në këtë rast, është ilaç antiparazitar që te njerëzit përdoret vetëm në raste të caktuara dhe me përshkrim nga profesionistë shëndetësorë. Prania e tij në këtë dosje, bashkë me produktet e tjera të dyshuara veterinare, ngre dyshime serioze mbi natyrën e “trajtimeve” që mund të jenë ofruar në këtë objekt.

Në raportin zyrtar, Inspektorati Farmaceutik konstaton se një pjesë e produkteve dyshohet se janë produkte veterinare. Në mesin e tyre përmenden: Torpidol, Albastar, Aquarius Pro Life, IverQuest 6.84g, Panacur, Fenbendazole dhe Methylen Blue.

Për këto produkte, Inspektorati Farmaceutik thekson se nuk ka kompetencë, pasi produktet veterinare hyjnë në përgjegjësi të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Inspektorati ka konstatuar se në materialin e sekuestruar kishte edhe pajisje medicinale, konkretisht 4 shiringa dhe 4 sisteme infuzioni. Këto pajisje, sipas raportit, hyjnë në kompetencën e Inspektoratit Farmaceutik.

Front Online mëson nga dokumentet se produktet janë sekuestruar nga Policia më 20 janar 2026, në rastin e Arianit Sllamnikut, ndërsa më pas janë pranuar për verifikim nga Inspektorati Farmaceutik në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Në fund të raportit, Inspektorati kërkon që Prokuroria të njoftojë autoritetin kompetent për tërheqjen e produkteve veterinare, pasi ato janë prova të rastit dhe Inspektorati nuk ka hapësirë të posaçme për ruajtjen e tyre.

Raportit i janë bashkangjitur edhe procesverbali me numër 0103647 dhe 8 foto-dëshmi të produkteve të sekuestruara në qese të bllombuara.

Rasti, sipas dokumenteve, hap dyshime serioze mbi mënyrën se si substanca të tilla kanë përfunduar në një objekt që pretendohej si vend trajtimi për fëmijë me autizëm. Për më tepër, përfshirja e produkteve të dyshuara veterinare, pajisjeve medicinale dhe substancave antiparazitare e kthen këtë rast në një dosje të rëndë për institucionet e hetuesisë dhe kontrollit shëndetësor / Front Online 

 

Të tjera