Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti aktualisht po kalon një pjesë të mandatit të tij me raporte të tensionuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pasojë e situatës në veri të Kosovës.
Kurti, i kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për qasjen e tij ndaj ndërkombëtarëve dikur ishte edhe më kritik e më i zëshëm ndaj raporteve Kosovë – SHBA, deri në pikën ku aleancën e quante “të cekët”, “të ngushtë” dhe aleancë “për të kaluarën”.
Në një deklarim të tij publik në vitin 2016, kryeminsitri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti atëherë opozitar i zëshëm, kishte deklaruar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është e cekët, e ngushtë, për të kaluarën dhe aleancë për intervenimin e NATO-s e shpalljen e Pavarësisë.
Ai deklarohej se aleanca me SHBA-të nuk është aleancë për të ardhmën, as e thellë e as e gjerë. Derisa thoshte se nuk i kontribuon kombëtarizimit, por ndërkombëtarizimit të Kosovës.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleancë e cekët dhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e Pavarësisë që ka ndodhur para 8 vjetësh dhe është aleancë për njohje ndërkombëtare, nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë. Nuk është aleancë për kombëtarizimin e shtetit, por për ndërkombëtarizimin e shtetit thua se jemi në vitet e 90’ta. Kosova ke nevojë për konsolidim të brendshëm e jo vetëm për pranime nga jashtë.”, deklaronte Kurti.
Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përshkruar nga i Dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si person që “nuk ka instinkt për bashkëpunim”, përderisa ambasadori i SHBA-ve në Serbi është shprehur se nuk e di “nëse ende mund ta konsiderojnë partner” Kurtin.
Për prishjen e raporteve me SHBA-të, Kurti po kritikohet gjerësisht brenda dhe jashtë Kosovës. /Botapress.info/