Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të flet për rrezikun që i kanoset nga Zajednica, termi me të cilin partia më e madhe në pushtet i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndonëse Albin Kurti, kryetar i VV-së e kryministër, e ka pranuar Asociacionin me gjashtê kushte, disa aktivistë dhe politikanë nga radhët e partisë në pushtet, vazhdojnë të kundërshtojnë “Zajednicën”. Ata kanë zgjedhur disa metoda interesante për të kundërshtuar Asociacionin.
Kërcënime për “dalje në rrugë”, protesta të mbajtura e të paralajmëruara dhe kritika të shumta në drejtim të emisarëve ndërkombëtarë, posaçërisht Gabriel Escobarit të ShBA-së e Miroslav Lajçakut të BE-së. Natyrisht, dhjetra aktivistë, deputetë, e zyrtarë të lartë të VV-së kanë shfrytëzuar rrjetet sociale si Facebook, Twitter e të tjera për të treguar kundërshtimin e Asociacionit.
Në këtë ndërmarrje për të kundërshtuar Asociacionin, ka eksponentë të lartë të VV-së, përfshirë nënkryetari i saj, Glauk Konjufca, e anëtarë të Kryesisë së LVV-së, si Elvis Hoxha, Boiken Abazi e Arbër Zaimi. Sigurisht, nuk mungojnë as deputetët e aktivistët si Arbër Rexhaj, Sadri Ramabaja, e Elvis Hoxha.
Portestat…pak shantazhe…
Që disa javë, LVV-ja është duke i përmendur protestat e mundshme. Ato saktësisht u përmenden me 28 janar të 2023, pra saktësisht 2 javë më parë. Njeriu që foli për protesta e ka emrin Hysamedin Feraj, që është këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Në statusin e tij, Feraj e kishte përmendur “gatishmërinë” për protestë të qytetarëve në mbrojtje të Qeverisë Kurti.
“Së paku në mediet sociale janë shtuar thirrjet për protestë të shqiptarëve “në mbrojtje të qeverisë Kurti” lidhur me zajednicën.” – shkruante ai.
Përtej paralajmërimeve për protestë, tashmë një e tillë kundër Zajednicës është mbajtur në sheshin Skënderbe në Prishtinë. Ndonëse e mohoi se kishte organizuar, thirrjen për proteste e kishte bërë z. Sadri Ramabaja, aktivist, që gjatë natës në cilësinë e profesorit e vesh edhe petkun e analistit.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Ramabaja e kishte krahasuar protestën modeste kundër Zajednicës me protestat e vitit 1981.
“Kjo protestë duhet parë thjesht si fillim i shpërthimit të uraganit popullor: ai nuk lejon nëpërkëmbjen e Republikës.” – u shpreh mes tjerash z. Ramabaja pas protestës, ku ishte parë edhe Avni Dehari, deputet i VV-së, Egzon Azemi, asamblist i VV-së, e Sami Kurteshi, aktivist i njohur i VV-së.
Një tjetër shpërthim të “uraganit popullor” do të ndodhë me 15 shkurt, pasi Parlamenti Studentor e ka ftuar një protestë kundër Asociacionit. Siç shkroi gazeta Nacionale, protesta do të organizohet edhe nga organizata studentore “SKV”, e cila është e afërt me LVV-në. Protestës tashmë i kanë dhënë mbështetje disa figura të VV-së, përfshirë Ramabajën.
Tashmë është bërë edhe një thirrje tjetër për protestë. Por jo në Kosovë. Më 12 shkurt, do të protestohet para Bundestagut të Gjermanisë. Sigurisht, përsëri kundër Asociacionit. Në afishën e shpërndarë nga Elvis Hoxha, është treguar edhe koha kur do të mbahet protesta.
“Me datën 11.02.2023, ora 14:00 e shtunë në Berlin përballë Bundestagu-ut mbahet një protestë! Kundër Asociacionit!” – shkruhet në këtë thirrje të shpërndarë nga Hoxha.
Ndërsa Konjufca, po, po Glauk Konjufca, i dërgoi një mesazh dy ditë më parë Escobarit, që dukej se ishte një paralajmërim (nëse jo kërcënim) për protestë. Ai deklaroi se janë të gatshëm të dalin në rrugë për të ndalur Zajednicën.
“Nëse presidentja e kryeministri nuk e nënshkruajnë Asociacionin, nuk ka fuqi që e krijon…Jo fuqi kështu forcë. Por asnjë fuqi demokratike e politike.” – shtoi Konjufca.
“Unë nëse nuk jam në këtë karrige, jam në rrugë për me ndalë këtë punë… Unë po të kallxoj, që për me mbrojtë interesin e Kosovës, të shtetit tonë, qysh unë e kuptoj, e kam mëndu që, Serbia masi e ka humbur Kosovën me tankse, me ushtri e polici, veç një qëllim e ka: me na lënë një shtet jofunksionale me autonomi territoriale që e kontrollon Kosovën.” – vazhdoi Konjufca.
Natyrisht, edhe vetë kryeministri Kurti “shpërtheu” dje kundër Zajednicës, duke e akuzuar Hashim Thaçin, ish-president e paraburgosur në Hagë, dhe Isa Mustafën, ish-kryetarin e LDK-së, për nënshkrimin e saj. Madje, ai i akuzoi edhe opozitën se po i ndryshojnë qëndrimet para Escobarit.
“Asociacioni është Zajednicë e Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Falë meje nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Kam përmendur gjashtë kushtet për Asociacionin. Asociacionin që e keni sjell. Zajednica e Thaçit e Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka qeveri demokratike. Kur po jep deklarime Escobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni. Në atë momenti ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vetë. Por ju nuk dilni.” – ka thënë Kurti.