Qytetarët e Gjakovës do t’i drejtohen sërish kutive të votimit më 14 nëntor. Gjakovarët do të vendosin mes Ardian Gjinit dhe Mimoza Kusari-Liles për të parin e kësaj komune.
Ndikim të madh në këtë drejtim mund të ketë edhe Partia Demokristiane e Kosovës.
Kandidati i këtij subjekti për kryetar të Gjakovës ka thënë se ende nuk kanë vendim përfundimtar se si do të rreshtohen në balotazh.
“Kemi oferta prej dy partive. Ka përafrime me njërin prej kandidatëve. Sot ose nesër besoj marrim vendim. Jemi në konsulta të shohim”, ka thënë Ferdinand Kolaj për Indeksonline.
Kolaj në zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë 6.84% të votave.
PDK në anën tjetër, sipas burimeve të Indeksonline pritet të mbështesë kryetarin aktual, Ardian Gjinin.
Ndërsa, Fazli Hoxha i Nismës sipas të gjitha gjasave do ta mbështesë kandidaten e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lilen.
Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk është deklaruar për pozicionimin e saj në balotazh, percjell Botapress.info