Gazetari Vehbi Kajtazi i ka reaguar të dielën me një video të kamotshme pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje pas vendimit për ta mbyllur televizionin “Klan Kosova”, duke ia pezulluar certifikatën e biznesit.
Në video ku protagonistë janë moderatorja e RTP-së në kohën e ish-Jugosllavisë, Hajrie “Spikerica” dhe gazetari Ilaz Duka, Kajtazi e bën të qartë se pushteti i kryeministrit, Albin Kurti nuk i do mediat e lira dhe të pavarura.
Prandaj, Kajtazi thotë se Kurti i lufton gazetarët pasi “na do të nënshtruar”, transmeton Paparaci.
“Do media dhe gazetare te tipit te Hajrie Spikerices e Ilaz Dukes. Prandaj na lufton sepse nuk nenshtrohemi. Prandaj na lufton sepse na do te nenshtruar”, shkroi ai sipër videos së publikuar në Facebook.
Në video, Duka dëgjohet duke thënë se është nënshtetas i Serbisë dhe Jugosllavisë.
“Të gjitha obligimet që i kam, i kam ndaj shtetit serb dhe jugosllav si qytetar. Prandaj, unë nuk ndjej kurrfarë obligime për shtetet tjera. Kështu që, pavarësisht çka mendon kush, unë e ndjej veten krenar që i shërbej një shtetit që i kushtohem familjarisht dhe unë personalisht”.
“Kjo tolerancë që u bë me 30 vite me radhë në Jugosllavi, i dha shpresë popullit shqiptar në Kosovë dhe vetë Shqipërisë se me të vërtetë ky territor i Serbisë dhe Jugosllavisë mund t’i bashkohet Shqipërisë, ky është iluzion”, thotë ai ndër të tjera.