Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, në një intervistë për gazetën e përditshme serbe “Nova” ka thënë se sanksionet amerikane ndaj kreut të BIA-s, Aleksandër Vulin, janë një sinjal se SHBA-ja nuk do të tolerojë më “manipulime masive të presidentit serb Aleksandar Vuçiq”.
Sipas Joseph, që është ekspert i politikës së jashtme amerikane, i cili shërbeu në Ballkan për gati një dekadë, duke përfshirë edhe vitet e luftës, vendimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Vulin ishte i vonuar, megjithëse është, siç thotë ai, një hap i jashtëzakonshëm që dërgon një mesazh: “Kaluan ditët e përkëdheljeve të pafundme.”
“Së pari, ky hap është mjaft i i vonuar. Vulin ishte një figurë e dëmshme në kaq shumë nivele për një kohë shumë të gjatë. Sulmet e tij ndaj SHBA-së datojnë të paktën prej vitit 2014, kanë vazhduar edhe nën Trump dhe janë përkeqësuar pas pushtimit rus të Ukrainës. Së dyti, ky është një hap i jashtëzakonshëm për SHBA-në. Unë kam vite që kritikoj qëndrimin “nuk shoh të keqe”, që në fakt është qëndrimi i SHBA-së ndaj Vuçiqit. Dhe tani qeveria amerikane akuzon zyrtarisht një bashkëpunëtor shumë të ngushtë të Presidentit Vuçiç për një sërë të këqijash: tregti droge, ndihmë në tregtinë e armëve, korrupsion dhe, në tre mënyrat e përmendura, forcimin e pozitës së Rusisë”.
Sipas Joseph, sanksionimi i Vulinit nuk është mesazh vetëm për Qeverinë e Serbisë, por edhe mesazh përbrenda Qeverisë amerikane
“Besoj se vendimi për Vulin nuk është vetëm mesazh për presidentin Vuçiq, besoj se është mesazh brenda vetë qeverisë amerikane. Unë besoj se vendimi për Vulin pasqyron ndjenjën në nivele shumë të larta të administratës së Biden – Sekretarit Blinken dhe kolegëve në Shtëpinë e Bardhë – se ata nuk do të tolerojnë më manipulimin masiv nga Vuçiq. Një artikull i kohëve të fundit në revistën me ndikim të Foreign Policy – “Shtetet e Bashkuara po krijojnë krizën e Kosovës” – u lexua dhe u debatua gjerësisht në Uashington. Në të, autori i shtroi një sfidë sekretarit Blinken: Të vendosë në thelb nëse çrregullimi në rajon dhe dëmtimi i besueshmërisë së SHBA-së ia vlen të përqafohet autokrati Vuçiq, i cili u refuzua nga një pjesë e konsiderueshme e publikut serb. Veçanërisht përmendet roli i Vulin. Unë besoj se artikulli katalizoi ndjenjën në rritje tek disa në administratën e Bidenit se “mjaft është mjaft” me Presidentin Vuçiq. Duhet të kujtojmë rolin specifik që Vulin luajti për Vuçiqin. Siç thuhet në tekstin e Foreign Policy, Vulin është “alter egoja” e Vuçiqit – i cili thotë me zë të lartë atë që Vuçiq po mendonte dhe nuk donte të thoshte për të ruajtur këtë farsë”.
Profesori amerikan thotë se me sanksionimin e njëri prej njerëzve kryesorë të Vuçiqit, SHBA-ja tregon se “ditët e përkdheljeve të pafundmi” kanë marrë fund.
“Prandaj, besoj se vendimi për sanksionimin e Vulin-it dërgon këtë mesazh: “Kanë kaluar ditët e përkëdheljeve të pafundme ndaj farsës së Vuçiqit”. Fillojnë ditët e përgjegjësisë”. Sigurisht që bashkëpunimi serbo-amerikan do të vazhdojë, por tani me përgjegjësi. Shpresoj se ambasadori Hill do ta pranojë dhe promovojë këtë qasje të re, më realiste ndaj bashkëpunimit serbo-amerikan. Hill është një diplomat me shumë përvojë. Ai thjesht duhet të pranojë se qasja e vjetër, me pak ose aspak përgjegjësi as për Vulin, as për Vuçiqin, është një pengesë për bashkëpunimin serbo-amerikan”, citohet të ketë thënë Joseph.