Sekretari i Britanisë për Brexit-in, David Frost, dha dorëheqjen të shtunën nga qeveria e Boris Johnson-it me arsyetimin se marrëdhëniet me BE-në janë një “detyrë afatgjatë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Frost tha në një letër drejtuar Johnson-it se ai drejtoi procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja për dy vjet e gjysmë, duke vënë në dukje se që të dy rivendosën lirinë dhe pavarësinë e Britanisë si vend dhe filluan procesin e vendosjes së marrëdhënieve të reja me BE-në.
Por ai potencoi një rrjedhje informacioni në media të vendimit të tij për largim nga posti përpara se të bëhej në janar.
“Është zhgënjyese që ky plan është bërë publik mbrëmë dhe në rrethana të tilla mendoj se është e drejtë që unë të largohem me efekt të menjëhershëm”, tha ai.
Frost tha se “Brexit tani është i sigurt”, por “sfida për qeverinë tani është të ofrojë mundësitë që i jep” Britanisë.
Ai kritikoi drejtimin e politikave të qeverisë në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe shprehu keqardhje për hapat që u ndërmorën në korrik për të rihapur ekonominë që nuk ishin “të pakthyeshme”, por ai tha: “Shpresoj që të mund të kthehemi në rrugën e duhur së shpejti dhe të mos tundohemi nga llojet e shtrëngimit dhe masat që kemi parë gjetiu”.
Dorëheqja e Frost-it erdhi në një kohë kur Johnson është i bllokuar politikisht.
Partia Konservatore, e udhëhequr nga Johnson, 98 deputetët e së cilës votuan kundër rregullores në lidhje me pasaportën e vaksinimit, humbi gjithashtu në zgjedhjet e pjesshme në North Shropshire më 16 dhjetor.