Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën “Sigurimet shëndetësore dhe skemat sociale në Kosovë”.
Me këtë rast pjesëmarrës ishin Sindikata të ndryshme të vendit.Kryetari i SBAShKUT, Rrahman Jashari, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk po merret me kërkesat e sindikatave.
“Kjo qeveri që erdh me kompozitet se do të kemi lule dritë, që kemi menduar se është më e afërt me sindikatat pasi e ka programin social, po del se është partia e cila na ka qit nëse mundet, shkelmin n’qaf”, tha Jasharaj.
Ai theksoi se “kërcënimin që e bën kjo parti, edhe ndaj individëve të sindikatës, edhe ndaj sindikatës, e kanë kot. SBAShK-u do të vazhdojë rrugën e vet.”,shtoi ai.
“Do të ketë greva nëse kjo Qeveri vazhdon kështu.”, tha Jasharaj.
Duhet përkujtuar që javë më parë sindikata të ndryshme kanë mbajtur një protestë me kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë Kurti.
Por përpos kësaj të njëjtit patën paralajmëruar se do të ndërmarrin edhe hapa të tjerë, deri në plotësimin e kërkesave që kanë për secilin sektor ku ata janë të fokusuar.
Por pikërisht këtë të martë, Qeveria e Kosovës mori vendim që të jap nga 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit privat dhe publik.
Por këto 100 euro, nga opozita, shoqëritë civile e shumë përfaqësues të tjerë janë parë si “lëmoshë”, pasi që thuhet se me 100 euro asnjëra familje nuk mund të mbulojë asgjë, duke pasur parasysh rritjen ekstreme të çmime.
Qytetarët janë përballur muajve të fundit me rritje të lartë të çmimeve në faturat e energjisë elektrike, në derivate por edhe në produktet ushqimore./Botapress.info/