Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përmes Periskopit ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, ku ky i fundit e quajti ‘kapje të shtetit’, rizgjedhjen e tij si kryetar.
Jasharaj ka deklaruar se kryeministri Kurti kishte pasur tendenca të përzihet në sindikata, duke pretenduar që të bëjë ndryshime në të.
Sipas tij edhe Unioni i Sindikatave të Evropës janë të shqetësuara me qasjen e Kurtit.
“Qasja e Qeverisë Kurti dhe në këtë rast e Adnan Rrustemit është e gabuar, gjë që ka shkuar edhe te Unioni i Sindikatave të Evropës, që janë edhe të shqetësuara. Kurti i cili është kryeministër dhe kryetar i këtij zotëriut, kishte pasë tendenca të përzihet në sindikatat sidomos në atë të Arsimit dhe Shëndetësisë, duke pretenduar edhe që të bëjë ndryshime”.
“Por, Kongresi i 2 Prillit, ku ishin edhe mediat e nderuara dhe mysafirët më të lartë të mundshëm të sindikatave evropiane mes tyre edhe drejtorja e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Evropës, punëtorët e arsimit, e thanë fjalën e tyre dhe me votën e tyre ma dhanë edhe një mandat duke respektuar angazhimin, punën dhe përkushtimin tim. Dhe ky mandat i tretë e kam thënë disa herë si kryetar i SBASHK-ut, ndjehem një nga njerëzit më krenar në botë dhe ky votim e besim më bën edhe më të fortë e të përkushtuar që të vazhdojë të jem zë i anëtarësisë”.
Jasharaj thotë se Qeveria Kurti me sjelljet ndaj sindikatave, me mohimin dhe mbylljen e dyerve për dialog po i dërgon ato drejt veprimeve që nuk duhej bërë në këtë situatë.
“Ne më 8 prill do ta kemi protestën e përbashkët dhe tash kur të jetë kongresi me një rezolutë obligative, më ka obliguar mua dhe kryesinë që pas këtij veprimi do fillojmë me veprime sindikale. Çfarëdo që të ndodhë në sistemin arsimor, ku i tërë sistemi do jetë i paralizuar nga grevat për shkak të qëndrimit kaq të keq të partisë në pushtet dhe deputetëve të tyre karshi sindikatave, do të na sjell në një pozitë të padëshiruar për ne dhe le ta dijë opinion që faktori i vetëm është qeveria Kurti. Kurti i pari që po i prinë kësaj valle por edhe ministrat e tij dhe deputetët me deklaratat e tilla”, deklaroi Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut, gjithashtu bëri me dije se drejtorja e përgjithshme e sindikatave i tha ministres Nagavci se qasja e Qeverisë është e gabuar në raport me sindikatat.
“Sindikata jonë ka respekt të lartë edhe tek sindikatat simotra në Ballkan, Evropë dhe në Unionin e Sindikatave. Po të mos ishte kështu drejtorja e përgjithshme nuk do të vinte në Kosovë dhe ajo ia tha troq edhe ministers Nagavci se qasja e Qeverisë është e gabuar sepse ata duhet të jenë shembull i mirë për dialog, i cili fatkeqësisht nuk po ndodh”.
Jasharaj thotë se këtë mbështetje të anëtarësisë së SBASHK-ut do ta ruaj dhe do ta mbroj, duke shtuar se deklaratat e deputetit të VV-së apo të tjerëve nuk do ta ndryshojnë në qëndrimin e tij.
“Nuk më brengos e as çudit as deklarata e z. Rrustemi e as deputetëve të tjerë e as e Kryeministrit, unë jam njeri krenar sepse e kam mbështetjen e plotë e antarësisë së SBASHK-UT, dhe këtë besim që ma kanë dhënë do ta ruaj me çdo kusht dhe nuk ka gjë që më ndryshon qëndrimin tim.
Jasharaj në fund tregoi se Kongresi ka vendosur që t’i japë edhe një mundësi Qeverisë që të dialogojë deri më 20 prill, dhe në qoftë se kjo nuk ndodh do të marrin veprime sindikale të përshkallëzuara.
“Kongresi ka vendos që t’i ipet edhe një mundësi dialogut të Qeverisë deri më 20 prill. Pas asaj date, unë si kryetar bashkë me kryesinë e kemi autorizimin që të fillojmë me veprime sindikale. Për hir të sistemit arsimor, do ta lus antarësinë që të mos shkojnë menjëherë në veprime sindikale, me grevë të përgjithshme, por mbase e uroj që të më dëgjojnë që të shkojnë në veprime sindikale të përshkallëzuara. Me një orë grevë, pastaj pas dy-tri ditësh me dy orë grevë e kështu me radhë. E, nëse edhe kjo nuk ndikon te Qeveria që të këndellet, atëherë SBASHK-u do të jetë i detyruar të shpallë grevë të përgjithshme, te të gjitha institucionet”, tha Jasharaj.
Kujtojmë se Rrahman Jasharaj është rizgjedhur kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës me 121 vota.
Kundërkandidat i Jasharit ishte Emrush Ahmeti.
Ndryshe, ky është mandati i tretë që Rrahman Jasharaj do të jetë në krye të kësaj sindikate./Botapress.info/