Serbët në veri të Kosovës po vazhdojnë të dorëhiqen nga vendet e tyre të punës.Një vendim të tillë sot e kanë marrë edhe zyrtarë të lartë të komisioneve komunale zgjedhore.
Në vazhdën e njoftimit nga institucionet e Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash do të mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale kanë dhënë dorëheqje mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre. Këtë e ka konfirmuar Sllobodan Dimitrijeviq, zyrtar i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut.
“Në një veprim të tillë kemi vendosur me njoftimin e Qeverisë së Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të shpallen në komunat tona pa marrëveshje politike dhe vullnetin e qytetarëve në komunën Leposaviq, Zveçan, Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok. Në një situatë kur na kërkohet të bëjmë zgjedhje një proces që është i pamundur të realizohet. Ne besojmë se realizimi i një procesi të tillë zgjedhor pa arritur marrëveshje politike dhe pëlqimin e qytetarëve tanë është një mision i pamundur”, ka thënë ai për KosovoOnline.
Lista Serbe bëri të ditur më 5 nëntor se zyrtarët serbë në Kuvend, Qeveri, pushteti lokal, Polici, Gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës do të largohen, derisa Qeveria në Prishtinë të tërhiqet nga plani i saj për targat.
Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat. /Botapress.info/