Botapress, 26 Maj- Deklaratat e Remit kanë ngjallur mjaft shumë reagime, pasi që Kurti kishte deklaruar vetë në një dokumentar të realizuar gjatë luftës në Kosovë, se nuk do të kapte kurrë armë me dorë. Me akuzat se nuk iu kishte bashkangjitur UÇK-së gjatë luftës, Kurti ishte përballur edhe nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte thënë në vitin 2019 se në një takim që kishte pasur me Kurtin gjatë vitit 1998, ai kishte refuzuar të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për herë të parë e kam takuar në vjeshtë të vitit 1998, ku kishte ardhur në Likoc së bashku me Adem Demaçin dhe disa ushtarë të UÇK-së i ofruan të radhitet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe tha se ‘jo unë nuk jam për pushkë’. Ka refuzuar edhe armën e UÇK-së edhe uniformën e UÇK-së. Pastaj ka ndodhur arrestimi i tij tek policia serbe gjatë bombardimeve të NATO-s, për tu liruar më vonë me lobim të fuqishëm nga të gjithë ne që kemi qenë jashtë, edhe presidentin Ibrahim Rugova, Veton Surroi, edhe nga ana ime dhe akademik Qosja në të gjitha takimet që kemi zhvilluar jashtë vendit”, kishte thënë Thaçi në Rtv Dukagjini.
Për deklaratat e Thaçit kishte reaguar edhe Rexhep Selimi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kishte thënë se deklaratat e Thaçit nuk ishin të vërteta.
Vetë Selimi kishte thënë që Kurti në vitin në vitin 1998 kishte kërkuar të rekrutohej nga UÇK-ja, por që ishte lënë të punonte pranë Adem Demaçit në zyrën e UÇK-së në Prishtinë.