Ish-presidenti Trump përmend Hashim Thaçin, kjo është arsyeja

Ofendimet që Donald Trump po i bën ndaj Prokurorit Special Jack Smith janë… të rënda. Por, në këto të fundit ai ka përfshirë edhe Kosovën në mënyrë indirekte përmes Richard Grenellit dhe Hashim Thaçit.

Jack Smith punonte në Hagë si kryeprokuror derisa dha dorëheqje për të marrë detyrën e Prokurorit Special. Prej atëherë ai ka marrë ofendime të rënda nga ish-presidenti amerikan, shumë prej të cilave ishin personale.

Çka tha së fundi?

Ish-presidenti amerikan që shpreson të fitojë garën presidenciale edhe më 2024, përmendi me emër Richard Grenellin që ishte i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi dhe… pa ia përmendur emrin, e futi mes sharjes edhe Hashim Thaçin.

“Prokurori Special i caktuar në “rastin Trump”, Jack Smithi (?) është një BANDIT që urren Trumpin, gruaja e të cilit e urren haptas Trumpin, miqtë dhe familjarët e të cilit janë edhe më keq, dhe si prokuror në Evropë, sipas Ric Grenellit, ai ka futur në burg një zyrtar të lartë qeveritar për shkak se ishte person pozitiv ndaj Trumpit. Smithi njihet si “bishë e padrejtë” dhe është shok i ngushtë me urryesit më të çmendur të Trumpit,” – shkroi ish-presidenti amerikan.

Më pas, ai tha edhe se Smithi mund të “dilte që ishte kriminel”.

Ndërkohë, gazetari amerikan Kyle Cheney menjëherë e ka zbuluar “zyrtarin e lartë qeveritar” që nuk përmendej nga Trumpi: Ishte pra, Hashim Thaçi.

Me anë të një postimi në Twitter, ai ka pyetur thjesht: Ky burrë?” derisa ka ndarë postimin e Trumpit, postimin e Hashim Thaçit për arritjen e një marrëveshjeje më 20 janar 2020 ku e lavdëronte Trumpin dhe një tjetër artikull ku ish-lideri i UÇK-së tregohej se po mbahej në paraburgim në Hagë për krime lufte.

Grenell në anën tjetër nuk ka komentuar ende këto deklarata të Trumpit, por më herët duke komentuar një artikull nga The Daily Beast ai kishte dhënë detaje të reja nga prapaskena e udhëtimit të Thaçit që ishte ndërprerë në verën e vitit 2020 pikërisht pasi Prokuroria e udhëhequr nga Jack Smith kishte konfirmuar aktakuzën. Sipas tij, në Washington mund të flitej edhe për mundësinë që të mos vazhdonte punën fare Gjykata Speciale./Botapress.info/

ngjashme