Prokuroria e Shtetit e ka implikuar Zijadin Gecin, ish-këshilltarin e ministrave të Mjedisit, Albena Reshitaj dhe Fatmir Matoshi, në veprën penale “marrje të ryshfetit”.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, Geci, bashkë me të dyshuarit tjetër, A.X., kanë marrë ryshfet në këmbim të ndihmës që u kanë dhënë një biznesmeni të ndërtimit për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Geci dyshohet se e kishte kryer këtë vepër penale për tri vite.
“[…] prej vitit 2016 deri në vitin 2019, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH) në Prishtinë, në bashkëkryerje kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’ për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’ në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së”, ka thënë Prokuroria.
Çka u gjet në shtëpitë e tetë të arrestuarve në rastin ‘Brezovica’?
Geci dhe A.X., si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë marrë para, me qëllim të ushtrimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar , me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ”.
Zijadin Geci është ish-këshilltar i ish-ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi. Ai është arrestuar të enjten nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar të Sharrit, raporton Paparaci.
Më parë, i arrestuari Geci ka ushtruar pozitën e kryetarit të Forumit Rinor të Aleancës Kosova e Re. Para se të emërohej këshilltar i Matoshit, ai ka shërbyer edhe si këshilltar i Albena Reshitajt, ish-ministre e Mjedisit nga AKR-ja. /Paparaci.com