Kryetari i Lëvizjes së Qendrës së Serbisë (SRCE), dhe ish-kandidati i opozitë serbe për president të Serbisë, Zdravko Ponosh ka vlerësuar se nuk ka arsye për të mos besuar deklaratës së dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka paralajmëruar se në takimin e të hënës në Bruksel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta pranojnë zyrtarisht marrëveshjen e ofruar.
Çfarë po ndodh kështu: Gjuajte me armë afër stacionit të Policisë në Zveçan
Ponosh ka deklaruar për televizionin serb “Nova S” se Vuçiq dhe Kurti “do të fejohen” në Bruksel dhe se “kumbarët që rregulluan këtë martesë” nuk do të tolerojnë ndryshimin e mendjes së tyre pas të gjitha premtimeve që kanë marrë prej tyre dhe pas gjithë asaj që kanë investuar, transmeton Paparaci
Ai ka shtuar se, megjithëse marrëveshja e ofruar nuk flet për njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia, as për anëtarësimin e Kosovës në OKB, një marrëveshje e tillë u jep hapësirë pesë mos njohësve të BE-së për të interpretuar se Serbia në mënyrë indirekte pranon shtetësinë e Kosovës dhe nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB”.
“Një marrëveshje që do të ishte e mirë për Serbinë duhet të përmbajë klauzola eksplicite se kjo nuk nënkuptohet, pra se Kosova nuk do të anëtarësohet në OKB”, ka pretenduar ai.
Ponosh ka thënë se “nuk e sheh se si një marrëveshje e tillë do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës”.
“Është e qartë për mua pse aktorët perëndimorë këmbëngulin që marrëveshja të nënshkruhet: prioriteti i tyre është zgjidhja e situatës së krizës në rajon, në mënyrë që ajo të mos bëhet një terren pjellor për ndikimin rus dhe jo të zgjidhen problemet e qytetarëve të thjeshtë. Është gjithashtu e qartë se çfarë fiton Prishtina me marrëveshjen. Nuk është e qartë dhe nuk shkruan se çfarë fiton Serbia, dhe cila është ajo “punë e madhe” që pretendohet se zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Serbia do të fitojë”, ka thënë Ponosh.