Inspektorati Policor nis hetimet rreth neglizhencës për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Rreth dyshimeve për neglizhencë të rastit të dhunimit të 11 vjeçares nga Prishtina, në dy raste të ndara nga gjithsejt 11 persona, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, Inspektorati Policor i Kosovës, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se ka nisur hetimet paraprake

Dhunimi i vajzës 11 vjeçare nga Prishtina, në dy raste të ndara nga 11 persona, tetë prej të cilëve të moshës madhore e tre të mitur, tronditi vendin.

Shteti ka qenë i njoftuar se me 21 qershor e mitura është lajmëruar nga familja si e zhdukur, e kur ishte gjetur nga policia të nesërmen, e kishin kuptuar se ajo është dhunuar seksualisht dhe trafikuar nga të paktën gjashtë persona. Ani pse viktima u mbajt për një muaj në strehimore, të dyshuarit nuk ishin arrestuar.

Tmerri ndaj të miturës, u përsërit me 28 gusht, kur u përdhunua edhe nga pesë personat e tjerë, shkruan Gazeta Insajderi.

Lidhur me neglizhencën dhe parregullësitë në trajtimin e këtij rasti nga organet e drejtësisë, pati reagime të shumta. Tek atëherë, u arrestuan 11 të dyshuarit.

Inspektorati Policor, e ka konfirmuar për Gazetën , ka nisur hetimet paraprake për policët që kanë qenë të angazhuar në dy rastet, atë të qershorit dhe të gushitit.

“IPK ju konfirnon se kemi filluar një hetim paraprak që të shohim dhe verifikojmë se cilat kanë qenë veprimet ose neglizhenca eventuale e zyrtarëve policorë në lidhje me dy rastet e raportuara për vajzën e mitur”.

“Për shkak të integritetit të hetimit në këtë fazë  nuk mund të ipen detaje shtesë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Skandali u thellua edhe më shumë kur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të hënën në një konferencë për media deklaroi se lidhur me rastin e 11 vjeçares, ka informacione se ajo është dhunuar për më shumë se një vit.

“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodh, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë”, tha Sveçla.

Por nga Inspektorati Policor, nuk kanë treguar se a ka policë të hetuar edhe për raste tjera, pas dyshimeve se e mitura është dhunuar për më shumë se 1 vit, siç edhe deklaroi ministri Sveçla të hënën.

IPK nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës, se a ka pasur dyshime për policë të përfshirë në hetime për raste të më hershme, e që nuk e kanë kryer detyrën zyrtare e as nëse janë marrë masa ndaj ndonjë zyrtari policor deri tash. /Gazeta Botapress.info/

ngjashme