Infermierja i informoi gabimisht prindërit në Gjinekologji, reagon ShSKUK-ja

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, mbrëmë rreth orës 22:30 një foshnjë ka lindur pa shenja jete. Sipas drejtorit të kësaj klinike shkaktar të humbjes së bebes kanë qenë komplikimet nga tensioni i lartë tek nëna, që çuan në gjakderdhje. Por, një informatë e gabuar ka bërë që prindi i foshnjës të dyshoj që fëmija i tij është ndërruar në spital.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të cilët thanë se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjave, por për dhënie të pautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.

“Në lidhje me foshnjën e vdekur, gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnje e saj nuk do të mbijetonte”, thuhet në reagim. Deri të ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër. Infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit”, sqaron tutje ShSKUK.

Se infermierja dha një informatë të gabuar e ka konfirmuar për Gazetën Insajderin, drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

“Gruaja ka qenë e informuar që foshnja nuk ka mbijetuar, derisa kanë qenë mjekët brenda, informatën e ka dhënë një person jo përgjegjëse për këtë punë, një motër e Neonatologjisë,  e cila e ka informuar gabimisht prindin e foshnjës. Motra ka menduar se foshnja që ka lind mirë është e prindit që i ka vdekur foshnja. Në atë kohë kanë qenë në lindje edhe dy gra të tjera”, tha Ndrejaj.

LEXO EDHE KETE

Drejtori i Gjinekologjisë refuzon të flasë rreth dyshimeve për skandalin e ndërrimit të foshnjave

Në reagim e ShSKUK-së, po ashtu thuhet se menaxhmenti i Klinikës së Neoantologjisë ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas ShSKUK-së për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit./Botapress.info/

ngjashme