A.R., ka mbetur sot i vrarë pas një përleshje me armë në qytetin e Vitisë, 25-vjeçari u godit me armë zjarri nga B.R., teksa të plagosur mbetën edhe dy të tjerë.
Për këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, rreth orës 11:00, në komunën e Vitisë, ka ndodhur një rast gjuajtje me armë zjarri, nga i cili një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari B.R. dhe ndaj tij është lëshuar vendimi mbi ndalim për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit iu janë sekuestruar një revole dhe një armë gjuetie”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndaj të dyshuarit për vrasje, prokuroria ka kërkuar masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.
Teksa, trupi i A.R., është dërguar në IML për obduksion.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit A.R., është dërguar për kryerjen e obduksionit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndaj të dyshuarit brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Gjilan, do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet më tutje në njoftim.