Kastriot Hulaj, një qytetar nga Deçani, ka treguar se Policia e Kosovës dhe KFOR-i ia kanë hequr panot që thotë se ishin pronë e tij, e ku figuronte logoja e UÇK-së dhe NATO-s si dhe flamuri i Shqipërisë.
Sipas tij, rasti ka ndodhur të hënën dhe shtoi se panot kanë qenë prezente aty tash e disa muaj.
Por, shprehet se të njëjtat janë larguar në ditën kur ai kishte vendosur logon e UÇK-së.
Duke u ankuar për këtë veprim, ai thotë se ka ndodhur pa arsye dhe me masa të rrepta.
Ai gjithashtu ka thënë se ky veprim i Policisë dhe KFOR-it është bërë pa asnjë arsyetim dhe me masa të rrepta.
Hulaj, mes tjerash, ka paralajmëruar se këtë rast do ta iniciojë në organet kompetente.
“Pa asnjë arsyetim e me masa të rrepta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it Italian dhe pa asnjë dokument apo vendim për rrënim, pasditen e sotme më janë rrënuar panot të cilat ishin pronë e imja. Çudia e gjithë kësaj pune është se pse u desht të rrënohen bash sot, kur në të i vendosa këto tri shkronja UÇK sepse panot ishin aty tash e disa muaj”, shkroi ai në Facebook.
“Me këtë rast unë do të inicioj si rast dhe sigurisht do të merret prokuroria dhe gjykata! Gjithsesi, qytetarë të Deçanit e ju ish-ushtarë të vërtetë të UÇK-së mos u mërzitni sepse ditëve në vijim do ta mbushim gjithandej Deçanin po më këto shkronja e po më këtë logo”.