Një qytetar nga Tetova ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili të premten do ta vizitojë qytetin tetovar, raporton Botapess.
Një i moshuar, ka deklaruar për portalin “TetovaSot”, se Kurti nuk mund t’i ndihmojë asgjë Tetovës. Më 11 gusht, Kurti viziton Tetovën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Bilall Kasami.
Ata do të vazhdojnë më pas në fshatin Vicë ku do të promovojnë idenë e lidhjes Tetovë-Prizren me rrugë malore, që do të promovojë turizmin malor.
Paraprakisht, në rrugët e Tetovës janë vendosur disa pankarta për Kurtin me mbishkrimin “Mirë se vjen në Tetovë! kryeministër”.
Megjithatë, i moshuari akuzon Kurtin se i ka prishur raportet me BE-në, ShBA-të si dhe me Shqipërinë.
Në mbrëmjen e së premtes, në ora 20:30, Kurti do tu drejtohet Tetovarëve me një fjalim, në programin që ka organizuar Kasami për nder të tij, ku do të performojë edhe grupi i mirënjohur tetovar Elita 5.
Mirëpo, qytetari nga Tetova thekson se Kurti nuk ka çka lypë në Tetovë dhe se një vizitë e tillë, atij nuk i intereson.
“Albin Kurti s’mundet t’i ndihmojë Tetovës kurrë një send. Ai s’o tu i ndihmu Kosovës kurrgjë. Si ka hipur ai në pushtet atje, krejt mbrapa është duke i shkuar Kosovës”, dëgjohet të ketë thënë ai.
“I ka prishur punët me ndërkombëtarët, Amerikën, BE-në dhe me Shqipërinë. Bëjeni me mend, me shtetin tonë amë”, shprehet ai.
“Çka lyp ai me ardhë këtu në qytetin e Tetovës. Aspak s’më intereson pse vjen Kurti këtu, ai e ka bo bërllok Kosovën, këtu Tetovën s’mundet me i ndihmu send”.