Hyseni kritikon Kurtin: Qeveria s’duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta

Skender Hyseni, Ish-koordinatori për dialog ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit tha se është i interesuar të diskutojnë elementet e marrëveshjes së përgjithshme, në takimin e radhës me presidentin serb Vuçiq në Bruksel.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare dhe se dialogu i deritanishëm ka qenë krejtësisht në anën e gabuar.

“E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar. Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Hyseni.

Tutje tha se Qeveria s’duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë”.

“Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsiston në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme”, u shpreh Hyseni.

Sipas tij, Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta.

“Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mos mbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”.

“Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, tha në fund Hyseni.

ngjashme