Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka nxjerrë përfundimet e tij sa i përket raportimit të Guvernatori të BQK-së në Komisionin për Buxhet sa i përket përfshirjes në procesin e dialogut me Serbinë.
Hoti ka thënë se ai s’ka pasur ftesë nga BE-ja, por ftesën e kishte pranuar Qeveria e Kosovës e cila më pas e ka përcjellë tek Guvernatori.
Ish-kryeministri i Kosovës tutje shkruan se Guvernatori Ahmet Ismaili nuk është takuar me homologun e tij, por me zyrtar të ministrisë së financave të Serbisë dhe se s’ka asnjë informatë me shkrim për atë se çfarë ka biseduar me palën serbe.
Hoti thotë se Guvenratori i BQK-së ka shkelur autorizimet ligjore kur ka marrë pjesë në takimin e Dialogut, me që Ligji për BQK nuk parasheh që Guvernatori përfaqëson Kosovën në dialog me një vend fqinj për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Sipas Hotit, Guvernatori i BQK-së është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.
Reagimi i plotë:
Përfundimet nga raportimi i Guvernatorit të BQK-së në Komisionin për Buxhet për pjesëmarrjen e tij në dialog me Serbinë.
1. Guvernatori nuk ka pasur ftesë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog. Ftesën e ka pranuar Qeveria, e cila e ka përcjellë atë tek Guvernatori. Edhe pse Guvernatori deklaroi se e ka parë të panevojshme të shkojë në Bruksel, ka vendosur të shkojë.
2. Takimi i dialogut në Bruksel është bërë mes Guvernatorit dhe disa zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë. Takimi nuk ka qenë me homologun e tij.
3. Nuk ka asnjë informatë zyrtare me shkrim se çfarë është biseduar në takim me palën serbe. Guvernatori deklaron se, “nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet”. Kaq për transparencën e këtij takimi.
4. Ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që qartëson se, Qeveria e Kosovës është i vetmi institucion që përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Rrjedhimisht, pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë takim nuk është në përputhje me autorizimet ligjore të tij. Kompetencat e Guvernatorit sipas nenit 37 të Ligjit për BQK nuk parashohin se Guvernatori e përfaqëson Kosovën në dialog me një vend fqinj për zbatimin e rregullores së BQK-së.
5. Rrjedhimisht, Guvernatori i BQK-së është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.
6. Shqetësim mbetet fakti se çdo koordinim lidhur me këtë rregullore ka pasur mundësi të bëhet në zyrën e Guvernatorit në BQK.