Nëse duhet të flasim për historinë e këtij rajoni atëherë kemi të bëjmë me një pjesë toke në mes Deti Mesdhe dhe lumit Jordan, e cila njihej me emrin Palestinë. Studiuesit besojnë se fjala Palestinë rrjedh nga fjala greke, Filistia , e cila daton nga përshkrimet e shkrimtarëve të lashtë grekë që përshkruajnë këtë rajon në shekullin XII para Krishtit. Fjala Palestinë i referohet filistinëve të lashtë që kishin pushtuar këto rajone gjatë po atij shekulli.
Arabët të cilët e quajnë këtë territor si shtëpi të tyre, janë të njohur si palestinezë që nga fillimi i shekullit të XX. Pjesa më e madhe e kësaj toke tani konsiderohet si Izraeli i sotshëm.
Gjatë historisë, Palestina ka qenë e sunduar nga grupe të shumta, duke përfshirë asirianët, babilonasit, persët, grekët, romakët, arabët, fatimidët, turqit selxhukë, kryqtarët, egjiptianët dhe mamelukët.
Ndërmjet viteve 1517-1917, Perandoria Osmane sundoi pjesën më të madhe të këtij rajoni.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918, britanikët morën kontrollin e Palestinës. Lidhja e Kombeve lëshoi një dokument që i jepte Britanisë kontroll administrativ mbi rajonin dhe përfshinte dispozita për krijimin e një atdheu kombëtar hebre në Palestinë, i cili hyri në fuqi në viti 1923.
Në vitin 1947, pas më shumë se dy dekadash sundimi britanik, Kombet e Bashkuara propozuan një plan për ndarjen e Palestinës në dy seksione: një shtet të pavarur hebre dhe një shtet të pavarur arab. Qyteti i Jeruzalemit , i cili pretendohej si kryeqytet nga hebrenjtë dhe arabët palestinezë, do të ishte një territor ndërkombëtar me një status të veçantë.
Udhëheqësit hebrenj e pranuan planin, por shumë arabë palestinezë, disa prej të cilëve kishin luftuar në mënyrë aktive interesat britanike dhe hebreje që nga vitet 1920, e kundërshtuan me forcë atë.
Në maj të vitit 1948, më pak se një vit pasi u prezantua Plani i Ndarjes së Palestinës, Britania u tërhoq nga Palestina dhe Izraeli u shpall shtet i pavarur, konkretisht me 14 maj të atij viti!
Pothuajse menjëherë, ushtritë fqinje arabe hynë për të parandaluar krijimin e shtetit izraelit. Lufta arabo-izraelite e vitit 1948 që pasoi, përfshiu Izraelin dhe pesë kombe arabe, Jordaninë, Irakun, Sirinë, Egjiptin dhe Libanin, me ç’rast u zhvendosën më se 750.000 palestinezë. Deri në fund të luftës në korrik 1949, Izraeli kontrollonte më shumë se dy të tretat e ish-mandatit britanik, ndërsa Jordania mori kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Egjipti mori kontrollin e Rripit të Gazës .
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit filluan një sulm ajror parandalues kundër Egjiptit më 5 qershor 1967. Të dy kombet pretenduan se po vepronin në vetëmbrojtje në konfliktin që pasoi, i cili përfundoi më 10 qershor ku gjithashtu ishin inkuadruar edhe Jordania dhe Siria, të cilat u rreshtuan krahë Egjiptit. Lufta Gjashtë Ditore, siç u quajt, rezultoi me fitore të mëdha tokësore për Izraelin.
Në fund të luftës, Izraeli kishte marrë kontrollin e Rripit të Gazës, Bregut Perëndimor, Gadishullit Sinai dhe Lartësitë e Golanit.
Në vitin 1987, shpërtheu Intifada e Parë, një valë zemërimi palestinez mbi pushtimin e vazhdueshëm izraelit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Grupet e milicisë palestineze u revoltuan dhe qindra njerëz u vranë.
Një proces i mëpasshëm i paqes, i njohur si Marrëveshja e Paqes në Oslo, u iniciua në fillim të viteve ’90 në një përpjekje shumëpalëshe për t’i dhënë fund dhunës së vazhdueshme.
Marrëveshja e parë e Oslos (Oslo I) krijoi një plan kohor për një proces paqeje në Lindjen e Mesme dhe një plan për një qeveri të përkohshme palestineze në pjesë të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 1993 me përfaqësim nga kryeministri izraelit Yitzhak Rabin dhe udhëheqësi palestinez Yasser Arafat.
Arafati u kthye në Gaza në vitin 1994, pasi ishte internuar për 27 vjet, i cili filloi të drejtonte Autoritetin Palestinez të sapoformuar. Në vitin 1995, Oslo II hodhi bazat për një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga pjesë të Bregut Perëndimor dhe zona të tjera. Ai caktoi gjithashtu një plan për zgjedhjet e Këshillit Legjislativ Palestinez.
Fatkeqësisht, Marrëveshja e Oslos dështoi në qëllimin e tyre përfundimtar për të sjellë Izraelin dhe Palestinezët të bien dakord mbi një plan të plotë paqeje.
Në shtator të vitit 2000 filloi Intifada e Dytë Palestineze. Një nga shkaktarët e dhunës ishte kur Ariel Sharon, një izraelit i krahut të djathtë, hebre, i cili më vonë do të bëhej kryeministër i Izraelit, vizitoi vendin e shenjtë mysliman në Xhaminë al-Aksa në Jerusalem. Shumë palestinezë menduan se ky ishte një veprim fyes andaj ata protestuan kundër këtij veprimi!
Trazirat, bombat vetëvrasëse dhe sulme të tjera shpërthyen më pas, duke i dhënë fund procesit, dikur, premtues të paqes. Kjo periudhë e dhunës mes palestinezëve dhe izraelitëve zgjati gati pesë vjet. Yasser Arafat vdiq në nëntor 2004 dhe në gusht të 2005, ushtria izraelite u tërhoq nga Gaza.
Tashmë dihet se shteti i Izraelit është i njohur ndërkombëtarisht si i pavarur, megjithatë kjo nuk është e njëjtë edhe për Palestinën, të cilën e njohin 132 shtete si shtet të pavarur, por jo edhe Izraeli dhe SHBA, interesant është fakti se as Palestina nuk e njeh Izraelin si shtet të Pavarur!
Ndonëse historia mund të flas të vërtetën e pakontestueshme, konflikti vazhdon edhe në vitin 2023 me beteja dhe luftë të pakompromis ndërmjet këtyre dy vendeve.