Filmi i shkurtër Heroi i Shkretëtirës /Hero of the Desert/ me skenar dhe regji te Lorena Sopit, do te shfaqet premiere evropiane ne programin zyrtar, pikërish ne edicionin e 76-te te International Film Festival of Salerno i cili mbahet nga data 23 nëntor deri me 03 dhjetor të këtij viti. Festivali dhjetëditor i cili këtë vit pretendon të mbledh më shumë se 30.000 spekator, është njërit ndër festivalet më të mëdha dhe më të vjetrat të Evropës. Festivali i krijuar ne vitin e parë të pasluftës se Dytë Botërore ishte themeluar nga ikonat e filmit Italian si Vittorio De Sica, Ignazio Rossi, Matteo Della Corte dhe Achille Guglielmi. Edicioni i parë i këtij festivali është mbajtur në vitin 1946 në Spitalin e Salernos, e vetmja godine e shpëtuar pa dëmtuar nga Lufta e Dyte Botërore. Që nga atëherë nëpër këtë Festival kanë kaluar pothuajse të gjithë emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.
Filmi Heroi i Shkretëtirës /Hero of the Desert/ gjate këtij muaji do te shfaeqt edhe në Ekurhuleni International Film Festival, në Afrikën e Jugut, pastaj ne London Movie Film Festival në Mbretërinë e Bashkuar, pastaj gjatë muajit dhjetor në The Balkans Beyond Borders Short Film Festival në Athinë, në Directors Circle Festival of Shorts ne SHBA, Teknochat Film Festival në Barcelon, etj.
“Gjithçka që doni në jetën tuaj papritmas mund të humbet, por në fund, dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër.” Mbi këtë linje logjike ndërtohet filmi 25 minutash ‘Heroi i shkretëtirës’ i cili trajton dashurinë e pamundshme, humbjen dhe vetminë. Jetën e vrazhdë përbrenda përplasjes së dy mentaliteteve. Nga njëra anë, përcaktimin e fatit përbrenda kornizave dhe paragjykimeve tradicionale, kondita të cilat shpeshherë përcaktojnë kufijtë e dhunshëm të jetës dhe vrasin ëndrrën e madhe të lirisë. Kurse nga ana tjetër, tendenca e njeriut patriarkal për të dale nga ‘kështjella e ngurtë e traditës’ dhe për të ndjekur rrjedhën e jetës moderne urbane. Këto dy pole, përplasën ashpër në filmin ‘Heroi i Shkretëtirës’ duke krijuar si rezultat një jetë të humbur, përplot nostalgji, meni, mllef, dhembje e vetmi. Jeta e paragjykuar si ëndërr e lirisë, në botën që ka trashëguar mentalitetin e mesjetës, por që zhvillohet në shekullin e globalizmit, gumëzhinë zhurmshëm nga fantazmat e shpirtrat e së kaluarës me heshtjen kërcënuese të së tashmes. Kur kësaj brendie të fshehur thellë nën lëvozhgën e shpirtit të trazuar ia shtojmë edhe përplasjen socio-politike të botës së luftës e cila ka shkaktuar dhunë, shkatërrime, vrasje, zhdukje njerëzish e dhembje të pafundme duke tentuar që të ruaj kufijtë e robërisë e njëmendësisë karshi ndryshimeve demokratike dhe fuqisë së pa rezistueshme të lirisë, atëherë konflikti që në dukje të parë nuk shihet, krijon hendeqe të pakapërcyeshme. Së këndejmi, veçoritë substanciale të filmit ‘Heroi i Shkretëtirës’ që përkufizojnë formën unike dhe shndërrohen në stil individual të krijuar nga ballafaqimi i rrënimit, heshtjes dhe dashurisë.
‘Heroi i Shkretëtirës’ është prodhuar nga AS Film, Ne rolet kryesore shfaqen Vjosa Tasholli, Mikel Markaj, Dibran Tahiri, Jehona Gashi, e te tjerë. Skenograf Uran Duli, Gafer Elbasan Sherifi, kostumografe Alma Krasniqi, zëri Ilir Xheladini, ndihmës regjisori Sovran Nrecaj dhe Hana Bucaliu, Drejtor fotografie Lorenc Pelushaj, skenariste dhe regjisore Lorena Sopi.