Filmi i shkurtër ‘Heroi i Shkretëtirës’ (Hero of the Desert) me skenar dhe regji te Lorena Sopit, ka fituar Çmimin e filmit më të mirë të shkurtër të vitit /Best Short Film of the Year/ në Golden Fox Film Competition i cili ka përfunduar me datë 26 janar në Tokio të Japonisë. Golden Fox Film Competition, është event vjetor i kinematografisë se përbotshme qe organizohet nga kineastët japonez për te përzgjedhur arritjet me te suksesshme te vitit paraprak. Është ky çmimi i nëntë ndërkombëtar që ka fituar ky film qe nga premiera ndërkombëtare që është shfaqur ne Festivalin e Madh të Salernos ne Itali.
“Gjithçka që doni në jetën tuaj papritmas mund të humbet, por në fund, dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër.” Mbi këtë linje logjike ndërtohet filmi ‘Heroi i shkretëtirës’ i cili trajton dashurinë e pamundshme, humbjen dhe vetminë. Jetën e vrazhdë përbrenda përplasjes së dy mentaliteteve. Nga njëra anë, përcaktimin e fatit përbrenda kornizave dhe paragjykimeve tradicionale, kondita të cilat shpeshherë përcaktojnë kufijtë e dhunshëm të jetës dhe vrasin ëndrrën e madhe të lirisë. Kurse nga ana tjetër, tendencën e njeriut patriarkal për të dale nga ‘kështjella e ngurtë e traditës’ dhe për të ndjekur rrjedhën e jetës moderne urbane. Këto dy pole, përplasën ashpër në filmin ‘Heroi i Shkretëtirës’ duke krijuar si rezultat një jetë të humbur, përplot nostalgji, mëni, mllef, dhembje e vetmi. Jeta e paragjykuar si ëndërr e lirisë, në botën që ka trashëguar mentalitetin e mesjetës, por që zhvillohet në shekullin e globalizmit, gumëzhinë zhurmshëm nga fantazmat e shpirtrat e së kaluarës me heshtjen kërcënuese të së tashmes.
Filmi 25 minutash është prodhuar nga AS Film dhe Film Fest Kosova, me mbështetjen e Departamentit për Kulture te MKRS-se dhe Komunës së Prishtinës. Ne rolet kryesore shfaqen Vjosa Tasholli, Mikel Markaj, Dibran Tahiri, Jehona Gashi, e te tjerë. Skenograf është Uran Duli, Gafer Elbasan Sherifi, kostumografe Alma Krasniqi, dizajner zëri Ilir Xheladini, ndihmës regjisori Sovran Nrecaj dhe Hana Bucaliu, Drejtor fotografie është Lorenc Pelushaj dhe skenariste e regjisore Lorena Sopi.