Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se nëse krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, i bie që po japim gjithçka pa marrë asgjë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haziri tha nesër (e hënë) do të shihet se a do të kaloj ‘Zajednica’ dhe çfarë funksioni do të marrë kreu i shtetit, Albin Kurti.
“Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës. A do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër“, ka shkruar Haziri.
Kujtojmë se, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët./Botapress.info/