Blerim Isufaj vazhdon të mbetet i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës që të jetë kryeprokuror. Haptazi VV-ja e kundërshton që ai të akreditohet në këtë pozitë.
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se “Kosovës nuk i duhet një prokuror që e ka bishtin në derë”, duke aluduar te Isufaj.
Ajo përmendi kushtet, sipas të cilës duhet t’i ketë një kryeprokuror – e Blerim Isufaj për Haxhiun nuk i ka.
“Kosova ka nevojë për një kryeprokuror që ka integritet profesional dhe që është i guximshëm. Kosova nuk ka nevojë për një kryeprokuror që e ka bishtin e zënë me derë sepse po e merr në qafë një popull. Z.Isufaj është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, kjo prokurori ka kompetencat më të mëdha sa i përket krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe ku jemi ne në këto raste? Nuk ka vullnet për t’i luftuar peshqit e mëdhenj”, ka thënë Haxhiu.
Zbulohet kush është personi që u prangos nga Krimet Ekonomike, ishte përfshirë në një aferë ryshfeti
Më tutje, ka pretenduar se individë brenda sistemit të drejtësisë po hakmerren Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se ka prej atyre që i shërbejnë pushteteve të kaluara.
Ajo ka thënë se opozita “po përpiqet që të pengojë reformat e Qeverisë”.
“Këtu ka subjekte opozitare që nuk dëshirojnë të lejojnë që të bëhen reforma në drejtësi. Nëse kam konsideruar se për konfiskimin e pasurisë për KPK-në, kam besuar se për vetingun jemi të unifikuar. Por, nga Kushtetuesja na erdhi një letër komente të PDK-së që e konteston faktin që një gjyqtar a prokuror mund të largohet nga sistemi nëse nuk mund ta justifikojë pasurinë. PDK-ja po thotë se ai duhet të mbetet në sistem, unë mendoj se është gabim, është fatale. Ka një përpjekje të vazhdueshme të opozitës që t’i ndalojë reformat që i ka nisë Qeveria”, ka thënë Haxhiu.
Sipas juridiksionit kosovar, sistemi gjyqësor është i ndarë prej atij legjislativ dhe ekzekutiv.
Por opozita e ka kritikuar pushtetin se po dëshiron të ndërhyjë në gjyqësi dhe prokurori “për t’i kapur ato”. Pushteti mohon, thotë se sistemi i drejtësisë pa vetting nuk po funksionon.