Albulena Haxhiu në janar të vitit 2019, kishte thënë se një Qeverie që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë.
Me 13 janar të vitit 2019 në një shkrim në Facebook, Albulena Haxhiu fliste për grevën e punëtorëve të arsimit.
“Një Qeverie që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë!”, kishte shkruar Haxhiu.
Ndërkaq është Qeveria Kurti, në të cilën Haxhiu është ministre, ajo e cila nuk po mbështet grevistët dhe madje u ka ndalur edhe pagat e muajit gusht.
Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Ndërkohë, autoritetet kompetente në Kosovë kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit. Përditësimi i listës së pagave është i nevojshëm për autoritetet pas grevës të nisur.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati më 29 gusht në një konferencë për media i paralajmëroi grevistët se nuk do ta marrin pagën e plotë derisa janë në grevë.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 1 shtator se sindikalistët që janë në grevë, nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”. /Botapress.info/