Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se në dokumentet që kishin arritur në organizatë, kanë parë korrespodenca të kryeprokurorit të ZPS-së me prokurorë të Serbisë ku ndër të tjera ka thënë se ishte edhe një letër-falënderim që ZPS u kishte drejtuar atyre.
Haradinaj ka thënë se dosjet nuk i kanë kopjuar dhe as nuk kanë pasur interesim për emra të dëshmitarëve apo për publikimin e tyre.
Sipas tij, ngjarja me dokumentet e arritura nga një person i panjohur në OVL-UÇK, ishte në interes për publikun dhe organizata e ka bërë të ditur për shkak të transparencës.
“Pamë që kanë qenë më shumë korrespodencë e kryeprokurorit, e zëvendëskryeprokurorit, korrespodencë me Vukçeviçin, me numrin katër, se nuk latë me ja përmend emrin do të thotë koordinatorin, përveç korrespodencës ka pasur edhe fletë-falënderim për bashkëpunimin e mirë që po e bëjnë dhe kontributin që po e japin për këtë Zyrë të prokurorit. Për mua ka qenë dëshpëruese, shumë dëshpëruese është edhe sot. Nuk e kam parë asnjë falënderim të ndonjë organizmi të shtetit tonë, as prokurorisë sonë, as ndonjë shqiptar. Ndoshta ka mundur me qenë se unë të gjitha faqet nuk i kam shikuar, por në ato që i kam shikuar nuk e kam parë. Kam parë kërkesa, që kishin thirrur t’ua sigurojnë vendet në Serbi, personave të caktuar, tmerr kam parë, për aq pak që kam parë, tmerr kam parë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se konferencat i kanë thirrur për shkak të interesit publik.
“Mbi bazën e transparencës, ka qenë i ngulfatur opinioni me lloj-lloj thashethemesh, ka qenë i ngulfatur, replika, mendime të ndryshme, spekulime, nuk ka pasur send më të nevojshme se sa me qenë transparent me publikun me u pa se çfarë janë këto, çfarëdo qofshin, qofshin provokim, qofshin kurth, qofshin vet të tyre, ka qenë interes kjo me u ditë çka po bëhet. Ne do të kishim bërë në një farë mënyrë thyerje të ligjit të demokracisë, transparencës dhe interesit publik po të mos e kishim bërë këtë punë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se Zyra e Prokurorit të specializuar nuk i ka kontaktuar pas daljes publike përmes konferencës.
“Zotëri avokat sa për dijeni, dy orë prej Prishtinës derisa më kanë sjellë këtu, këta e kanë pasur 15 minuta zyrën deri në zyre tonë, këta të kishin dashur, hajde mirë të parën herë, por dytën herë e të tretën herë kurrë nuk kishin mundur të mbërrijnë gazetarët para tyre, se informata ka qenë publike. Dhe potencial kanë pasur boll se e pamë atë ditë kur arrestuan, mbi 50 forca të armatosura me maska, pa maska, pushkë e të gjatë e snajperë, kështu që edhe potencial kishin pasur boll t’i rrethojnë të gjitha me i marrë, edhe kush nuk ua kish ndalë, sepse nuk ua kemi ndalë kur kanë ardhur t’i marrin, ua kemi dhënë”, ka thënë Haradinaj.