Sanksionet ndaj Kosovës jo vetëm që s’janë hequr “por ka gjasa edhe të ashpërsohen”, ka thënë pjesëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Himati, në dritën e qortimeve të rënda ndërkombëtare ndaj qeverisë kosovare pas vendimit, sipas tyre, të nxituar të ndalimit të valutës serbe në zonat e banuara me shumicë serbe.
“Ky pushtet ‘Krejt dhe drejt’ e ka humbur argumentin me miqt dhe aleatët tanë edhe për kauza të drejta. S’mund ta bindin askë, pos militantëve të VV-së. Të padijshëm janë”, ka shkruar Hamiti në një reagim në Facebook.
Postimi i plotë:
Për eskalim të situatës në veri të Kosovës, për çka BE-ja dhe SHBA-të e kanë bërë fajtore Qeverinë Kurti, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare prej qershorit të vitit 2023. FSK-ja u përjashtua nga “Defender Europe 2023”. Projekte në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh janë bllokuar. Qeverisë së Kosovës i qe tërhequr vërejtja për sanksionet e pritshme. Nuk i ka pasë marrë seriozisht. Ndoshta s’i ka kuptuar hiç. Tash i vuajmë sanksionet, të cilat jo që s’po hiqen, por ka gjasa të ashpërsohen për sa kohë e kemi këtë Qeveri.
Ky pushtet ‘Krejt dhe drejt’ e ka humbur argumentin me miqt dhe aleatët tanë edhe për kauza të drejta. S’mund ta bindin askë, pos militantëve të VV-së. Të padijshëm janë.
Sekretari amerikan i shtetit Blinken ‘naiv‘, BE-ja ‘tigër prej letre’. Kaq dijnë kryeministri Kurti dhe zëvendësja e tij, Gërvalla-Schwarz.