Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese Të dyshuarit pothuajse në shumicën e rasteve arrijnë të ikin, duke shpëtuar kështu nga prangat e Policisë. Kështu ka ndodhur edhe më një rast në fund të muajit dhjetor, të vitit të kaluar në pompën e derivateve ‘Shell’ në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë.
Pas një muaji hetime, Policia ka arritur t’i identifikojë tre personat e dyshuar, që kryen grabitjen, nën kërcënimin e armës dhe arritën t’i merrnin qindra euro para të gatshme dhe më pas u zhdukën. Ndonëse qëndruan në arrati nga 23 dhjetori, gjatë ditës së djeshme të njëjtit janë arrestuar dhe kanë përfunduar në mbajtje.
Gjatë aksionit për kapjen e tyre, Policia ka kryer edhe bastisje, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë sekuestruar prova që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.
Grabitje e armatosur në pompën ‘Shell’ në Prishtinë, tre persona marrin gjithë pazarin ditor
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për një të mitur, një 20 dhe një 23-vjeçar, të cilët po dyshohen se nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ia marrin punëtorit të gjithë pazarin ditor në vlerë të rreth 300 eurove.
Ndaj tyre është lëshuar urdhër për ndalim policor, teksa brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë edhe veprimet e tjera hetimore./Botapress.info/