Ka vazhduar sot shqyrtimi i kërkesës së Avokaturës Shtetërore në lidhje me vendosjen e masës së sigurisë në projektin e ndërtimit të një objekti shumëkatësh të Ndërmarrjes Publike Banesore me kompaninë “Madegroup Construction”.
Gazeta raportoi muajin e kaluar se Avokatura Shtetërore është përfshirë në mënyrë të dyshimtë në këtë proces. Është bërë palë si përfaqësuese e Ministrisë së Ambientit.
Në seancën e sotme, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatbardha Uka-Ibrahimi, udhëzoi Avokaturën Shtetërore në mënyrë të hapur që t’i shmangte të metat e lëndës së iniciuar kundër NPB-së për masën e sigurisë së projektit.
Në këtë mënyrë, gjyqtarja i shtroi rrugë Avokaturës Shtetërore që të kërkojë ndryshimin e palës paditëse nga Avokatura Shtetërore në Qeverinë e Kosovës.
Sipas Ligjit të Veçantë për Avokaturën Shtetërore (ASh), këtij organi të Ministrisë së Drejtësisë pretendohet se i mungojnë kompetencat për ushtrimin e procedurave ligjore si palë në gjykatë.
Përkundër se ndryshimi subjektiv i padisë nuk është i lejuar me rregullat e Ligjit të Procedurës Kontestimore, gjyqtarja e aprovoi këtë kërkesë me anë të një aktvendimi të marrë në prani të palëve në këtë seancë.
NPB-ja dhe kompania “Madegroup Construction” e kundërshtuan ashpër këtë veprim të gjyqtares.“Diçka e tillë paraqet thyerje të parimit të paanshmërisë së gjykatës në procedurë kontestimore”, kanë thënë nga NPB-ja për Paparacin, pas përfundimit të seancës.
NPB-ja druan se gjyqtarja nuk do të ndalet me vetëm “këto tejkalime të kompetencave të saj”, mirëpo frikësohet se edhe në të ardhmen, Uka-Ibrahimi do të veprojë si e “anshme dhe në dëm të NPB-së dhe kompanisë fituese”.
Bllokimi i kësaj kontrate, sipas palës së paditur, mund të krijojë dëme për kompaninë implementuese e që sipas kontratës të cilën palët e kanë nënshkruar, firmës “Madegroup Construction” do t’i takonte fitimi i munguar në vlerën e plotë të projektit.
Një dëm i tillë kontraktual do të rrezikonte falimentimin e plotë të NPB-së. /Botapress.info/