Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim për të hënën e 13 shtatorit krerët e subjekteve politike në Kosovë për të diskutuar mbi rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrje të zgjedhjeve, derisa 3 subjektet më të mëdha politike në vend i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ftese, ndonëse disa e kanë refuzuar si mundësi shtyrjen e zgjedhjeve.
Por, cilat ishin zhvillimet dhe deklarimet e ditëve të fundit përpara ftesës së presidentës Osmani për krerët e partive politike në Kosovë?
Fillimisht, një deklaratë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në një paraqitje televizive në T7 lidhur me zgjedhjet e 17 tetorit bëri bujë të madhe. Ai tha se pajtohet me adresimet e opozitës për shkurtim të fushatës, por gjithashtu ka thënë se po të pyetej ai, do t’i shtyente zgjedhjet.
”Fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet por unë do të thoja ndoshta të hiqet krejt për shkak të pandemisë. Së pari mua m’u dukën shumë të arsyeshme adresimet edhe të z.Abdixhiku edhe të z.Krasniqi sa i përket zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore. Unë pajtohem plotësisht me këtë qëndrim”, deklaron kryeparlamentari. Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin. Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka deklaruar Konjufca ndër të tjera.
E këtë deklaratë të Konjufcës e pasoi deklarimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti para 2 ditësh. Kjo deklaratë e Kurtit lidhur me situatën me pandeminë në Kosovë u interpretua si fajësim i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ai tha se edhe në muajt qershor e korrik kur ishte hapur vendi, por edhe tani me masat e reja kundër virusit kanë vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHPK’së.
“Sot mund të duket sikur mund të bënim më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por gjendja atëherë ishte krejt ndryshe. Po të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i iulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, pas këtyre dy deklarimeve publike, ajo që mori vëmendjen e opinionit publik ishte publikimi në media i ftesës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për takim konsultativ me partitë politike lidhur me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Të shtunën, Koha publikoi një dokument të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dërguar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani ku rekomandohej shtyrja e zgjedhjeve lokale.
“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me C OVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe humbjeve të jetëve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me C OVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet. Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me C OVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, ka thënë në letrën për presidenten IKSHPK-ja.
Stafi i Presidentes Osmani reaguan ashpër ndaj raportimeve në media duke i quajtur ato edhe “media të ish-regjimit pronto”, dhe duke mohuar kategorikisht se Osmani ka ftuar partitë politike për shtyrjen e zgjedhjeve.
Shefi i stafit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela nëpërmjet një postimi në Twitter tha se ftesa s’paraqet vendim për shtyrje të zgjedhjeve, por në anën tjetër u shpreh se është “shqyrtim i opinionit e rekomandimit të IKSHPK’së”, e që ky i fundit rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve.
Ideja e shtyrjes së zgjedhjes që bëri bujë të madhe në media u kundërshtua ashpër nga Shoqëria Civile. Ata konkluduan se shtyrja e zgjedhjeve nuk është opsion i mirë dhe nuk duhet të ndodhë.
Analisti politik, Albert Krasniqi, tha se analiza e IKSHPK’së i ngjau me një pamflet politik
“Analiza “profesionale” e IKSHPK-së më shumë po i ngjanë një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional. Nuk përmban asnjë të dhënë për të mbështetur rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve. Për më tepër, po bije në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantojë Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi në reagimin e bërë thotë se si mund të iu besohet parashikimeve të IKSHPK-së, kur muaj më parë është akuzuar nga Qeveria se ka bërë rekomandime të gabuara.
“Si mund t’i besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vije e vaksinuar?
Sot, IKSHPK do të duhej të dilte me protokolle të detajuara se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë”, thotë mes tjerash ai.
Analisti, Analisti Jusuf Thaçi ka thënë se zgjedhjet komunale në Kosovë nuk duhet të shtyhen, por duhet të mbahen në afatin e paraparë kushtetues/ligjor.
“Nuk mund të lejohet që i gjithë pushteti komunal (ekzekutivi dhe legjislativi) në Kosovë të mbetet pa legjitimitet. Ka kohë mjaftueshëm që deri në ditën e zgjedhjeve komunale (17 tetor 2021) situata me pandeminë në Kosovë të përmirësohet përmes masave të duhura anti-Covid, normalisht nëse partitë politike organizojnë fushatë zgjedhore në përputhje me këto masa (gjë që duhet ta bëjnë patjetër, nëse jo nga vetëdija e duhur, atëherë nga detyrimi ligjor)”, ka shkruar Thaçi.
Ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Cakolli thotë se “Para se me fillu me marrë seriozisht edhe profesionalisht këtë rekomandimin e IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve, duhet me u qartësu disa çështje”.
“Së pari, kush dhe me çfarë motivi e ka kërku këtë vlerësim? Pse ky vlerësim po bëhet tash, më shumë se një muaj para zgjedhjeve? A nuk na u tha para pak dite se situata ka parametra të përmirësimit? A ka bërë IKSHPK-ja analizë mbi ndikimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit në rritjen e rasteve? A ka qenë problem fushata apo dita e zgjedhjeve, edhe pse cilido me njohuri minimale e di se problemi kryesor ka qenë fushata?”, thotë ai.
Cakolli pohon tutje së asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë.
“Asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë. Kosova s’ka pse të jetë i vetmi. Qytetarëve s’duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes në një periudhë kur dihet se me vaksinim dhe respektim të masave ka potencial të vogël të rritjes së rasteve. Në vend se të ketë konsultime mbi këtë rekomandim koti, duhet punë intensive për të përditësuar manualet për organizimin e zgjedhjeve në pandemi”, deklaroi ai.
Analisti Agron Demi u deklarua gjithashtu se s’ka asnjë arsye logjike të shtyhën zgjedhjet lokale.
Ai ka rikujtuar se kur insistohej të mbaheshin zgjedhjet më 14 shkurt, kanë qenë mbi 64 mijë raste pozitive me virus e ZERO vaksina
“Sot, kur po kërkohet shtyerja e zgjedhjeve janë 18 mijë raste aktive me virus e janë administru mbi një MILION vaksina
Kur më 14 shkurt kërkohej me të drejtë mbajtja e zgjedhjeve kritika ndaj pushtetit ishte se nuk po e menaxhon mirë pandeminë. Tash kur po kërkohet shtyerja e zgjedhjeve, partia në pushtet po mburret se si e ka menaxhu mirë pandeminë dhe se kemi shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon. Atëherë pse me u shty zgjedhjet?! Përse VV ishte partia e vetme që nuk u deklarua për shkurtim apo anulim të fushatës, por është për shtyerjen e zgjedhjeve?”, ka shkruar Demi.
“Nëse gjatë gjithë verës IKShPK ja ka huq me rekomandime, ashtu qysh tërthirazi tha dje Kryeministri, përse nuk po ja huq edhe rekomandimit për shtyerjen e zgjedhjeve?!
Anulimi i fushatës zgjedhore me prezencë fizike dhe respektimi i masave mbrojtëse në ditën e zgjedhjeve është i vetmi opsion”, ka shtuar tutje ai.
Por, pavarësisht kundërshtimeve, tri subjektet më të mëdha politike në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për takim.
Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se LVV “janë të gatshëm të takohen me Presidenten kurdo që ajo i thërret”.
Edhe PDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim me presidenten Osmani. Zëdhënësi i kësaj partie Faton Abdullahu ka thënë se PDK asnjëherë nuk iu është shmangur takimeve institucionale dhe se do të marrin pjesë edhe në takimin e së hënës.
“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim”, tha Abdullahu.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se edhe kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja. Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të pranojnë një shtyrje të zgjedhjeve.
Pal Lekaj thotë se AAK ende nuk ka vendosur nëse do të merr pjesë në këtë takim, derisa tha se të hënën do të dalin me njoftim për këtë çështje.
I ashpër në reagim lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka kundërshtuar këtë ide duke komentuar mbi rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe për ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ.
Abdixhiku ka thënë se IKSHPK sot është shndërruar në instrument të pushtetit dhe ka humbur secilin kredibilitet, duke e quajtur skenar të paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet tentimin për shtyerje të zgjedhjeve.
Referuar IKSHPK’së, ai ka thënë se: “Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit.”
Tutje, Abdixhiku ka thënë se dështimi pandemik nuk guxon ta prekë demokracinë dhe sipas tij, zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush.
“Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi.”, tha Abdixhiku.
Reagim të ashpër ndaj Abdixhkut pati ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili doli në mbrojtje të shefës së tij në Listën GUXO.
Ai ka thënë se eksponentë politikë (duke iu referuar Abdixhikut), dhe “ati i tyre ideologjik” (duke iu referuar Isa Mustafës) kanë heshtur kur flitej për shtyrje të zgjedhjeve në Podujevë vitin e kaluar.
Peci nuk e ka kursyer gjuhën duke e quajtur “piun”, të Isa Mustafës, kreun e tanishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Kur eksponente të politikës (e ati i tyre ideologjik) na flasin për ndikim ndaj institucioneve të pavarura, mendojne që kemi harruar se si ata nuk bëzanë kur Thaçi shtyu zgjedhjet në Podujevë një ditë para se të mbaheshin, pa pyetur e konsultuar asnjë parti politike, pa pyetur për kushtetutë e ligj, pa pyetur për demokracinë. Këta eksponente oportunistë heshtnin, se s’donin të prisheshin me shefat e tyre. Se janë vec piuna të atit të tyre idologjik, I.Mustafës, e dëshmuan edhe sot.”, ka thënë ai.
Ai është hedhur në akuza, duke i quajtur “propaganda” këto deklarata dhe duke thënë se ato “udhëhiqen tjeshtë nga urrejtja e verbuar”.
“Qytetarë të dashur, mbylljuni derën propagandave të tilla, e cila udhëhiqet thjeshtë nga urrejtja e verbuar. Ju e njihni gjithsecilin, sepse e kemi sprovuar veten. E dini kush njëmend punon për demokraci. I keni parë këta abuzues pushteti se si shkelën çdo normë etike e ligjore pergjatë dy dekadave.”, ka shkruar ai.
“Presidentja juaj NUK ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet dhe asnjëherë se ka thenë këtë. Presidentja juaj po e luan rolin e saj kushtetues kur i fton lideret politik për të diskutuar për gjendjen me pandemine dhe ndikimin e saj në procesin zgjedhur (për dallim nga ai parapraku që se konsultonte askend). Presidentja juaj, si gjithnjë, në çdo vendim të saj do te ketë parasysh vetëm e vetëm interesin tuaj. Në vend të histerive abnormale që shpërndajnë propagandë online për të dëshmuar besnikërinë ndaj politikës IsaMustafiane, ju e dini kujt në të vërtetë t’i besoni.”, ka shkruar Peci.
Për epilogun e këtyre zhvillimeve mbetet të kuptohet tek pas takimit konsultativ të presidentes Osmani me krerët e partive politike në vend. /Botapress.info/