Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Ferizajit ka ndodhur një krim i rëndë. Bëhet fjalë për një vrasje makabre të një vajze 18 vjeçarë nga dy meshkuj të cilët vet e kishin dërguar në Spitalin e Ferizajit dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Njëri prej tyre është arrestuar nga policia dhe është ndaluar për 48 orë, ndërsa tjetri qëndron në arrati. Policia e Prokuroria kanë zbuluar detaje të rënda të këtij rasti, derisa ende ka gjëra që mbesin mister dhe organet e rendit po punojnë që t’i zbardhin.
Fillimisht u raportua thjesht se një vajzë 20 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Spitalit të Ferizajit, por, gjërat morën kahje tjetër kur u kuptua se ajo u dërgua në spital nga dy persona të cilët më pas u arratisën nga vendi i ngjarjes. Metro i’u sjell të gjitha detajet e e ditura këtij krimi, të cilësuar si “Vrasje e Rëndë” nga Policia dhe Prokuroria.
Ishte policia e Ferizajit ajo që fillimisht raportoi për rastin duke thënë se një vajzë rreth moshës 20 vjeçare ishte dërguar në Qendrën Emergjente pa shenja jete, derisa në ato momente ende nuk dihej se sa persona e kishin dërguar atë në Spital.
Kështu bëri të ditur Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt.
“Rreth orës 15:08 e kemi pranuar informatën se një vajzë rreth moshës 20 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendren Emergjente. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i zhvillon hetimet. Viktimën e kanë sjell disa persona. Nuk dihet numri i saktë. Policia po i zhvillon hetimet për të zbardhur rastin. Nuk dihet nëse viktima ka pasur shenja jete derisa ka arritur në spital. Por, vdekjen e kanë konstatuar mjekët në Qendren Emergjente”, thanë nga policia e Ferizajit në fillim.
Tutje, detajet e rastit edhe më thellë i zbuloi Prokuroria e Ferizajit të cilët thanë se dy persona e dërguan vajzën 18 vjeçare në Spital me një veturë tip ‘Audi’ me targa të Zvicrrës, por që targat nuk mund të deshifroheshin nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Kamerat e sigurisë kapën edhe fytyrat e personave të cilët e dërguan 18 vjeçaren në Spital, mirëpo në ato momente ata mbetën të paidentifikuar, ndonëse në të gjitha pikat kufitare u shpërndanë fotografitë për të evituar ikjen e mundshme nga shteti të të dyshuarve.
“Dy persona e kanë sjellë me një veturë të tipit ‘Audi’ me targa të Zvicrës, tabelat për momentin nuk mund të deshifrohen për shkak të kualitetit të dobtë të fotove. Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit, ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës”, thanë nga Prokuroria e Ferizajit.
Nuk kaloi shumë kohë nga ky moment dhe Gazeta Online Insajderi siguroi pamje të kamerave të sigurisë që zbulonin fytyrën e dy personave të cilët e kishin dërguar 18 vjeçaren në Spitalin e Ferizajit, pa shenja jete.
Nga Spitali i Ferizajit për mediat u zbuluan edhe detaje të tjera. Nga atje u tha se 18 vjeçarja kishte arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, por ne trupin e saj kishte shenja dhune.
“Ka ardhë pa shenja jete, me shenja dhune. Por, nuk di më shumë nuk e kam par kufomën sepse nuk jam në spital”, thanë nga spitali i Ferizajit për mediat.
Pak para mesnatës, policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njoftuan se kishin arrestuar njërin nga dy të dyshuarit të identifikuar me inicialet A.S, mashkull kosovar i moshës 32 vjeçare.
Gjithashtu, policia e Kosovës njoftoi se në arrati dhe ende në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K, gjithashtu mashkull kosovar i moshës 29 vjeçare, dhe bënë të ditura se viktima është e moshës 18 vjeçare me inicialet M.O, femër me shtetësi kosovare.
“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, pasi ka pranuar rastin ‘’Hetim mbi vdekjen’’, ka nisur hetimin e rastit që ka ndodhur, sot rreth orës 15:08 , ku një person e gjinisë femër, ishte sjellë pa shenja jete nga dy persona të dyshuar, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur. Në lidhje me këtë, hetuesit rajonal, pasi kanë grumbulluar disa informacione në terren , kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje.
Pas kësaj, policia kanë arritur që të arrestojnë njërin , të dyshuarin me inicialet A.S ( M/K) i moshës 32 , i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj , i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K (M/K) i moshës 29 vjeçar. Ndërkaq, trupi i pajetë dyshohet të jetë i personit , me inicialet M.O (F/K) e moshës 18 vjeçare , e cila është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion. Rasti është cilësuar ‘’Vrasje e rëndë’’ dhe mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore.“, njoftoi policia e Kosovës.
Edhe më shumë detaje që kanë të bëjnë me vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaji u zbuluan në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës ku thuhej se vajza ka vdekur si shkak i lëndimeve vdekjeprurëse të shkaktuara nga të dyshuarit.
“Ferizaj 22.08.2021 – 15:08. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, dyshohet se i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse viktimës femër kosovare. I njëjti dyshohet se në bashkëveprim me të dyshuarin mashkull kosovar i cili është arrestuar, e kanë dërguar viktimën pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekip mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari kryesor gjendet në arrati. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar.“, tha policia në raportin 24 orësh.
Prokuroria e Ferizajit gjithashtu doli me komunikatë për media gjatë ditës së sotme njoftoi gjithashtu se kanë ndaluar për 48 orë një person të dyshuar me inicialet A.S për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Gjithashtu ata njoftuar se i dyshuari tjetër D.K gjendet ende në arrati, ndërsa u njoftua se e dyshuara M.O u keqtrajtua fizikisht për motive të ulëta.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar një person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas prokurorisë, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.”, thanë nga Prokuroria.
D.K i cili sipas raporteve të organeve të rendit deri më tani duhet të jetë i dyshuari kryesor lidhur me këtë rast qëndron ende në arrati dhe raportohet se policia e Kosovës dhe organet e tjera po punojnë në arrestimin e tij. /Botapress/
Kjo është 18-vjeçarja që u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt
18 vjeçarja nga Ferizaji u keqtrajtua për motive të ulta, Prokuroria jep detaje…