Në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme ka qarkulluar një fotografi nga një shkollë në Gjakovë, në të cilën ishin vendosur shenjat për gjërat e ndaluara në shkollë, shkruan Botapress.info
Në mesin e gjërave të ndaluara ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, si dhe mbulesa (e vajzave myslimane).
Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.Rasti ka ndodhur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.E për këtë ka reaguar mbrëmë edhe kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, derisa e ka quajtur të papranueshme.
Gjini ka paralajmëruar edhe masa ndaj atyre që e kanë bërë këtë veprim.
“Sonte e kam pa, dhe sonte është heq, është totalisht e papranueshme për mu dhe kam takime me sqarua se kush e ka vendos. Është e papranueshme në çfarëdo aspekti, ne do ti shohim edhe cilat do të jenë masat, dhe nuk ka nevojë kurrfarë shenja për me qit në shkollë. Nuk është bërë me vendim as të kryetarit të Komunës dhe as të drejtorëve. Nuk ka lidhje me politikat e Aleancës dhe unë kam dhënë urdhër me u hekë kushdo që e ka bë ka bërë gabim të rëndë”.
Në lidhje me këtë, ashpër ka reaguar edhe deputetja e Duda Balje, derisa ka thënë se krahasimi i një arme që vret me atë të një vajze me shami është “vrasje e të drejtës së besimit” të saj.
“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetar. Unë nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkojë një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës z. A. Gjini”, ka shkruar Balje.
Në lidhje me posterin e vendosur në shkollën teknike të këtij qyteti ku thuhej se ndalohet hyrja e vajzave me mbulesë, mbrëmë ka reaguar edhe Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova.
“Gjakova njihet për tolerancën fetare që ka mes besimeve të ndryshme dhe shkollat duhen të jenë vende ku kultivohet kjo tolerancë”.
Megjithatë, Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.
Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj.
Edhe Imami kosovar Labinot Maliqi, i ka reaguar drejtpërdrejt kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me simbolin e vendosur në muret e shkollës “Nexhmedin Nixha” për ndalimin e shamisë.
Mesazhet e imamit për Haradinajn, janë shoqëruar me gjuhë të ashpër.
Ai ka thënë se gratë e partisë së tij po bëjnë veprime fashiste.
Pas, reagimeve të shumta mbrëmë është larguar nga shkolla shenja që tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave. /Botapress.info/