Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në disa komuna të Kosovës ka pasur vërshime. Përveç në Skënderaj dhe Mitrovicë që është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, as Istogu e Klina nuk qëndrojnë më mirë.
Në të dyja këto komuna lumenjt kanë dal prej shtrati duke vështirësuar edhe më shumë gjendjen. Sipas kryetarit Ilir Ferati, deri tani 8 fshatra të Istogut janë të prekura nga vërshimet.
Sic mëson IndeksOnline, si pasojë e vërshimeve, mbi 30 persona nga fshati Zallq janë strehuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar. Megjithatë, në njoftim thuhet se deri tani vetëm po monitoron, përkundër situatës tashmë të rëndë.
“Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren”, thuhet mes tjerash.
Për shkak se Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, qeveria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjithashtu bëhet e ditur se qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112. /Botapress.info/