Promovimi i kërkimeve dhe botimeve mbi Arbëreshët e Italisë dhe për ta është misioni i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që për këtë vit është përzgjedhur të jetë organizatore e Konferencës së 25-të të Foundation of Edangerd Languages (Fondacioni për gjuhët e rrezikuara). QSPA së fundmi shkruan se në konferencën që do të mbahet në Tiranë më 16-19 dhjetor 2021, do t’i kushtohen disa panele diskutimit temës së veçantë, “Gjendja dhe studimi i Arbërishtes si gjuhë e rrezikuar”.
“Prandaj, kontributet për këtë temë janë përqendruar gjeografikisht më shumë në zonat ku fliten varietetet arbëreshe. Sidoqoftë, tema e veçantë shqyrton të njëjtën përmbajtje si tema kryesore e konferencës: lidhja e gjuhëve të rrezikuara dhe diasporës. Ne kërkojmë kontribute për të gjitha çështjet e varieteteve arbëreshe të rrezikuara në lidhje me diasporën, si dhe studime përshkruese ose analitike që i qasen gjuhës nga këndvështrimet teorike ose të zbatuara.
Ne mirëpresim studime nga disiplina të shumta (gjuhësi, studime letrare, antropologji, studime historike, studime pedagogjike, etj,)”, shprehet Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. QSPA dhe Universiteti i Tiranës synojnë të fillojnë një fazë të re të bashkëpunimit të tyre, në të cilën çështjet e arbërishtes në rrezik të bëhen qendrore për tezat kërkimore të studentëve. Sipas Qendrës së Studime dhe Publikimeve për Arbëreshët, tema e veçantë përbën një hap të rëndësishëm në këtë bashkëpunim.
“Për qëllime praktike dhe për të krijuar një hapësirë krahasimi, në këtë konferencë ne do t’i konsiderojmë si “Arbërishte” duke përfshirë një grup prej katër gjuhësh të rrezikuara të lidhura (secila e përbërë më tej nga nënvariante të ndryshme) që fliten në vende të ndryshme të Mesdheut: Arbërishtja në Itali, dialekti Arvanitas në Greqi, Arbërishtja në Kroaci, dhe dialekti Arnaut në Turqi- AAAA. Në rubrikën e hapur për konferencën në faqen zyrtarë të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, të interesuarit mund të gjejnë edhe temat e sugjeruar mbi tematikat e arbërishtes”, vijon më tej Qendra e Studime dhe Publikimeve për Arbëreshët për këtë konferencë./Botapress/