Gjeneralmajor i Karabinierisë së Italisë me më shumë se 40 vite përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë, dhe operacione të paqes, Giovanni Pietro Barbano, mori sot detyrën si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ai pason diplomatin suedez, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi detyrën si Shef i Misionit më 25 qershor.
“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Barbano.