Ish-gazetarja e televizionit shtetëror rus Marina Ovsyanikova është akuzuar se ka përhapur informacione të rreme për ushtrinë ruse, gjë për të cilën mund të dënohet deri në 10 vjet burg, njoftoi avokati i saj në Telegram.
Akuzat lidhen me një protestë muajin e kaluar kur ajo ngriti një poster kundër luftës në bregun e lumit Moskë, përballë Kremlinit dhe postoi foto të protestës në kanalin e saj Telegram.
Ovsyanikova, e cila ka lindur në Ukrainë, u bë e famshme në mars pasi hyri në studion e televizionit shtetëror rus, ku ishte e punësuar në atë kohë, me një baner kundër luftës gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë lajmesh. Për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pushtimit rus Ukrainë, Ovsyanikova tashmë është arrestuar dhe dënuar disa herë.
Më herët sot, ajo njoftoi se hetuesit federalë hynë me forcë në shtëpinë e saj rreth orës 6 të mëngjesit për ta bastisur para se ta merrnin për t’u përballur me akuzat./Botapress.info./