Punëtori teknik i shkollës “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, Arben Blakaj është liruar dje pasi është marr në pyetje nga Prokuroria nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse në shkollën ku ai po punonte.
Lidhur me arrestimin e tij ka reaguar vajza e Blakajt, Argjira. Ajo tha për Insajderin se janë lënduar shumë nga ky lajm për të cilin pretendon se është i pavërtetë.
Ajo thotë se rasti i është montuar babait të asaj.
“Une i telefonova familjaret nga Gjermani. U shokova kur e degjova lajmin, babi nuk eshte kesi lloj personi. Jemi lendu shume. Une e njoh ate ai vetem mire eshte sjell me secilin person. Ja montuan shume keq edhe na lenduan keq. Se kemi prit ne asnje moment. Edhe nena ime ishte shume e prekur”, tha Argjira Blakaj.
Blakaj ishte arrestuar mesditën e djeshme në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.
Policia e Kosovës konfirmoi të mërkurën lirimin e Blakajt. Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi, tha se pas arrestimit dhe intervistimit të tij nga ana e Policisë dhe pasi është njoftuar Prokurori i Shtetit, ai ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, “andaj i dyshuari është liruar”.
“Pas intervistimit nga njësitet përkatëse policore është njoftuar prokurori i cili ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale”, tha Gashi.
Ngjarja ka ndodhi dje rreth orës 13:00 pasi Policia e Kosovës u njoftua për një rast ku u dyshua se një nxënëse e një shkolle në Istog ishte pre e ngacmimit seksual nga punëtori teknik i shkollës.