Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur dje fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Seanca u bojkotua nga dy parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, çka tha Osmani në adresimin e saj vjetor?
Fjalimin vjetor, Presidentja Vjosa Osmani e nisi me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku. Osmani tha se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj.
Vitin 2023, e para e vendit e cilësoi si jo të lehtë për vendin.
“Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit”, deklaroi Presidentja.
Duke folur për procesin e dialogut, Osmani paralajmëroi dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hartuar nga ndërkombëtarët në Gjykatën Kushtetuese.
Osmani tha se Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se pushteti e opozita duhet të ulen bashkë për të përgatitur komentet bazuar në shqetësimet që kanë.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetmë të qevrisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka deklaruar Presidentja.
Në fjalimin e saj vjetor, Presidentja përmendi edhe Liridona Ademajn, 30-vjeçares që u vra më 29 nëntor, vrasjen e të cilës dyshohet se e porosity bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
“Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm”, tha e para e vendit.
Më poshtë gjeni adresimin e plotë të Osmanit:
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar ambasadorë,
Mysafirë të nderuar,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.
Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.
Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.
Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.
Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.
Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.
Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.
Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.
Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.
Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.
Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.
Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.
Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.
Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.
Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.
Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.
Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.
Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.
Të nderuar deputetë,
Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.
Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.
Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.
Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.
Në luftimin e propagandës serbo-ruse dhe përpjekjeve të tyre për goditje të shtetësisë së Kosovës, angazhimi im ka qenë intensiv dhe i palëkundur. Përgjatë këtij viti kam pasur afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.
Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi arritur suksesshëm t`i rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet ta marrin këtë vendim.
Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane.
Ndërsa sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje dhe me përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik, duke adresuar shqetësimet, duke zbatuar reformat dhe duke nxitur bashkëpunim me institucionet evropiane.
Pavarësisht se sa komplekse është, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo rrugë, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë saj. Por, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.
Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara.
Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë kudo në takimet ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminimin mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.
Të nderuar deputetë,
Në këto dy dekada pune në institucionet e Kosovës, gjithnjë kam besuar se aleancat tona janë fuqia dhe përparësia jonë e madhe në çdo proces. Qytetarët tanë e dijnë më së miri këtë, sepse e kanë përjetuar e parë vet se si pikërisht fuqia e këtyre aleancave të ndërtuara mbi vlerat përbashkëta e të ndërthurura me vullnetin e qytetarëve tanë e luftën çlirimtare, na shpëtuan jetërat, na bënë të mundur lirinë pas shumë sakrificash e na ndihmuan të ndërtojmë shtetin e ëndërruar për breza të tërë.
Sot, në këtë adresim vjetor, në emër të qytetarëve të Republikës sonë, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike e aleate të Kosovës, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemi e me të cilat, jam e sigurt, që udhëtimi përpara do të shënohet nga suksese të reja. Sot, në veçanti, dua të falënderoj aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike në Evropë e përtej.
Prandaj, edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara nuk po zvogëlohen, Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë nuk është as nënshtrim e as dobësi. Në fakt është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Këta partnerë luftuan krah për krah me popullin e Kosovës, edhe kur na kanosej shfarosja, edhe kur mbronim shtetin tonë para e pas pavarësisë, edhe kur shënonim sukses pas suksesi në rrugëtimin tonë për fuqizimin e pozitës sonë ndërkombëtare.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gjithnjë e në çdo kohë do të pajtohemi, sepse mospajtime ndonjëherë ka edhe brenda së njëjtës familje. Por, të gjitha duhet t’i diskutojmë e t’i tejkalojmë me respekt reciprok e mbi të gjitha, duke mos lëkundur asnjëherë besimin. Rruga jonë përpara është e gjatë e aspak e lehtë. Por përkundër sfidave, jam e sigurt që puna që po e bëjmë së bashku ditë pas dite së shpejti do të na udhëheq drejt sukseseve të reja që do i shtojnë madhështinë partneriteteve tona me vendet mike e do i hapin Kosovës sonë të dashur kapituj të ri të arritjeve historike.