Botapress, 16 Qershor – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deri më tani ka refuzuar që të dalë para veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, megjithatë, për protestën e tyre është deklaruar në seancën e Kuvendit.
Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve i respekton me buxhet, duke përmendur shumat që ndahen për ata, raporton Botapress.info
“Dorëzohet” Albin Kurti, anulon vizitën në Maqedoninë e Veriut për t’i takuar veteranët e UÇK-së
“Qeveria e Republikës së Kosovës me politikat e saj dhe me deklarimet e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar për vendin, për veteranët dhe invalidët e UÇK-së, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Qeveria i ndanë 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, që është më shumë se sa për mbrojtjen e vendit. Pra, për veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve shuma është kjo, i bie 1.5 për qind të bruto produktit vendor, pra respekti po shprehet me buxhet”, ka thënë ai.
Ani pse vetë nuk ka luftuar me armë, por është i regjistruar si veteran, Kurti ka thënë se listat janë të fryra dhe se fëmijëve do t’u mësohet gabim historia për luftën çlirimtare.
“Por, kur shikon përbërjen, përmbajtjen, atyre kemi pasë vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë, sepse konsiderojmë se pjesëmarrës në luftën çlirimtare ke pasur edhe më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve është i fryrë. Është gabim historia që do t’u mësohet fëmijët dhe për librat tonë të historisë, po besa edhe për të huajt që do të vijnë ta studiojnë luftën tonë çlirimtare”, ka thënë ai.
Kurti në fund të deklaratës së tij, ka konfirmuar se nuk do të takohet sot me veteranët që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, veteranët kanë paralajmëruar se sot do të protestojnë gjatë gjithë ditës pasi nuk u përfshinë në ligjin për rritjen e pagës minimale.
Protestuesit më herët krijuan një kordon para Njësisë Speciale, derisa ia dolën të depërtojnë edhe në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Deri më tani nuk dihet numri i saktë i protestuesve, por shihet se mijëra persona kanë dalë që të marrin pjesë në këtë protestë./Botapress.info/