Oda Ekonomike e Kosovës ka shpërblyer festivalin Sunny Hill për ndikimin direkt ekonomik dhe forcimin e imazhit pozitiv të Kosovës
në arenën ndërkombëtare.
Prishtinë, 2025 – Festivali Sunny Hill, një nga festivalet më të mëdha në rajon, është shpërblyer nga Oda Ekonomike e Kosovës
me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025, në kuadër të gala-mbrëmjes “THE BEST OF KOSOVA 2025”. Festivali është vlerësuar për
kontributin e tij të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në forcimin e imazhit
pozitiv të Kosovës në nivel ndërkombëtar, përmes muzikës dhe industrisë kreative.
Si festival muzikor, Sunny Hill ka krijuar një platformë ku muzika, kultura dhe kreativiteti bashkohen, duke promovuar
talentet dhe duke forcuar lidhjen e Kosovës me skenën globale të industrisë muzikore. Përveç vlerës artistike dhe kulturore,
Sunny Hill Festival ka pasur edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Organizimi i festivalit ka gjeneruar përfitime
të konsiderueshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, hotelerinë, gastronominë, transportin dhe shërbimet mbështetëse.
Impakti ekonomik është vlerësuar të jetë rreth 22 milionë euro, ndërsa ndikimi në media vlerësohet në qindra miliona euro,
me mbi 150 media të akredituara nga e mbarë bota.
Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 100 mijë vizitorë gjatë tri ditëve të festivalit, nga afro 60 vende të ndryshme të botës.
Hotelet në Prishtinë dhe në qytetet përreth kanë qenë 99% të rezervuara. Organizatorët këtë vit po ashtu kanë lansuar
edhe platformën “Sunny Hill Travel”, e cila promovon turizmin dhe qëndrimin në Kosovë, ndërsa gjatë festivalit
përdoruesit e saj kanë mundur të përfitojnë nga pakot e akomodimit, të cilat përfshijnë edhe biletat dhe transportin.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës theksuan se Festivali Sunny Hill përfaqëson një model të suksesshëm
të mënyrës se si ngjarjet kulturore dhe muzikore mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit ekonomik dhe të diplomacisë kulturore.
Këtë vit në Festival performuan emra me nam si Dua Lipa, e cila u paraqit në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”,
njëherësh turneu më i madh dhe më i suksesshëm i karrierës së saj deri më sot. Suksese të mëdha ajo ka shënuar edhe
në platformën Spotify, ku numëron rreth 40 miliardë dëgjime totale. Albumet “Future Nostalgia” dhe “Radical Optimism”
kryesojnë këto shifra, ndërsa hitet si “Don’t Start Now” dhe “Levitating” kanë secila mbi një miliard dëgjime, duke dëshmuar
se ajo është një nga artistet më të mëdha globale, me miliona dëgjues aktivë çdo ditë.
Po ashtu performoi edhe Shawn Mendes, një nga emrat më të mëdhenj të pop-muzikës globale, i cili u rikthye fuqishëm
sivjet me turneun e tij “On The Road Again”; Peggy Gou, një nga figurat më të respektuara dhe me ndikim në skenën
globale të muzikës elektronike; Anyma, i njohur ndërkombëtarisht për përfshirjen inovative të elementeve vizuale dhe
teknologjike në performancat e tij si DJ; si dhe Fatboy Slim, i njohur për hitet e tij klasike dhe karrierën e gjatë shumëdekadëshe.
Në skenat e festivalit janë ngjitur edhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, si: Calvin Harris, J Balvin,
Martin Garrix, Action Bronson, Skepta, Burna Boy, Miley Cyrus, Bebe Rexha, Stormzy, Black Coffee, The Martinez Brothers, dhe shumë të tjerë.
Festivali këtë vit po ashtu është nominuar për t’u zgjedhur si më i miri në Evropë, në kategorinë e Festivaleve të Mesme,
nga “European Festival Awards”. Vitin e kaluar, në të njëjtën kategori, arriti të renditet në mesin e pesë festivaleve më të mira.



Të tjera
Aktuale
PZAP vulos vendimin e KQZ-së: Motra e Donika Kadaj Bujupit nuk lejohet të garojë me “Koalicija Vakat”
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe
Aktuale
Abdixhiku në Llap: Dyert e LDK-së janë gjithmonë të hapura për secilin që beson e kontribuon
Kreu i LDK-së dhe kandidati për
Lajme
Festivali Sunny Hill merr Çmimin për Impakt Ekonomik
Oda Ekonomike e Kosovës ka shpërblyer