Autoritetet amerikane kanë arrestuar dy burra në Nju Jork, nën dyshimet se kanë punuar në “stacione sekrete policore” në një lagje në Manhatan.
Liu Jianwang, 61-vjeçar, dhe Chen Jinping, 59-vjeçar, të dy banorë të Nju Jorkut, përballen me akuza se kanë vepruar si agjentë për Kinën, si dhe për pengim të drejtësisë.
Ata pritet të dalin para një gjykate federale në Bruklin, gjatë ditës së hënë.
Në të kaluarën, Kina i ka hedhur poshtë akuzat se ka vepruar në këto stacione, duke i quajtur ato “qendra për ofrim shërbimesh” për shtetasit e saj jashtë vendit.
Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka thënë të hënën se, Jianwang dhe Jinping, kanë punuar së bashku për të krijuar stacionin e parë jashtë territorit kinez në Shtetet e Bashkuara, në emër të Ministrisë së Kinës për Siguri Publike.
Këto stacione janë mbyllur në vjeshtën e vitit 2022, kanë thënë autoritetet amerikane, pas hetimeve që ka kryer Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
“Kjo ndjekje penale shpërfaq shkeljen e kryer nga Qeveria kineze në sovranitetin e shtetit tonë, duke krijuar stacion sekret policor në mes të qytetit të Nju Jorkut”, ka thënë Breon Pearce, kryeprokuror i Bruklinit.
Këto stacione besohet se janë në mesin e 100 të tillave që operojnë në 53 vende të botës, përfshirë ato në Mbretëri të Bashkuar dhe Holandë.
Nëse dënohen, dy burrat mund të përballen me 25 vjet burgim.
Kina ka ngritur më shumë se 100 stacione të ashtuquajtura policie jashtë shtetit në të gjithë globin për të monitoruar, ngacmuar dhe në disa raste riatdhesuar shtetasit kinezë që jetojnë në mërgim, shkruan CNN.
Kina raportohet se ka përdorur marrëveshje dypalëshe të sigurisë të arritura me shtete në Evropë dhe Afri për të fituar prani ndërkombëtare.
Në mesin e vendeve ku ka stacione janë edhe Kroacia, Serbia, Rumania.
Zyrtarët policorë kinezë janë parë duke patrulluar rrugët e Zagrebit në korrik të këtij viti.
Një zyrtar policor kroat kishte thënë për agjencinë “Xinhua” se patrullimet ishin për “mbrojtje dhe tërheqje të turistëve të huaj”.
E në një raport të vitit 2019 nga agjencia Reuters thuhet se zyrtarët policorë kinezë i janë bashkuar atyre serbë për të patrulluar në Beograd “e ndihmuar në adresimin e fluksit të turistëve kinezë”.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë: S’kemi njohuri
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi më 4 dhjetor se nuk ka njohuri për stacionet e dyshuara të policisë kineze në Serbi.
Kështu ka reaguar MPB-ja ndaj pretendimeve nga raporti i organizatës për të drejtat e njeriut Safeguard Defenders me seli në Spanjë se Kina ka më shumë se 100 stacione policore në vende të botës, përfshirë edhe Serbinë.
“Theksojmë se në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Ministrisë së Sigurisë Publike të Republikës Popullore të Kinës për zbatimin e patrullave të përbashkëta policore, i cili u nënshkrua më 19 maj 2019, gjashtë policë kinezë kanë qenë të pranishëm në patrullimet e përbashkëta të policisë serbe dhe kineze vetëm për një muaj, nga data 17 shtator deri më 16 tetor 2019”, njofton MPB.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, policët kinezë “as atëherë nuk kanë pasur të drejtë të përdorin mjete shtrënguese”.