Disa prej mërgimtarëve të cilët i shpëtuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë kanë aterruar tanimë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Familjarët e mërgimtarëve kanë dalë me lule në dorë që mirëpresin ata. Dhjetëra vetura të Ministrisë së Brendshme janë futur brenda aeroportit dhe do të shoqërojnë mërgimtarët deri në shtëpitë e tyre.
“Puna e kujdesit për njerëzit e akomoduar në Slavonski Brod pas aksidentit nuk ka mbaruar. Ne gjithashtu kemi organizimin e akomodimit dhe nisjes së udhëtarëve të mbetur. Ata do të largohen nga Slavonski Brod në ditët dhe javët e ardhshme. Ne tashmë kemi rregulluar një fluturim nga Zagrebi për tre pasagjerë të enjten të cilët do të largohen nga spitali më 29 korrik”, konfirmoi drejtoresha e Kryqit të Kuq Slavonski Brod, Mirjana Matanoviq.