Një familje kosovare me tre fëmijë është shpëtuar pas disa orësh e bllokuar në borë në zonën neutrale mes Kosovës dhe Malit të Zi, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë vështirësuar qarkullimin në këtë pjesë.
Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), rasti ka ndodhur më 18 mars 2026, pasi Policia Rajonale e Pejës ka kërkuar ndihmë emergjente.
Rruga rajonale Kullë–Rozhajë ishte bërë e pakalueshme për shkak të borës, ndërsa segmenti në zonën neutrale kufitare ishte bllokuar plotësisht, duke lënë të izoluar disa automjete dhe udhëtarë.
Menjëherë pas marrjes së thirrjes, një ekip i ShKShMK-së nga stacioni në Pejë është nisur drejt vendit të ngjarjes me pajisje specialistike, përfshirë edhe një motosajë.
Pas arritjes, ekipet e shpëtimit kanë bërë vlerësimin e gjendjes shëndetësore të familjes dhe më pas kanë realizuar evakuimin e tyre në një zonë të sigurt, në Pikën Kufitare Kullë.
Përveç kësaj familjeje, ndihmë u është ofruar edhe personave të tjerë të bllokuar në atë zonë. Një shofer kamioni, gjendja shëndetësore e të cilit ishte përkeqësuar, është evakuuar dhe dërguar drejt kufirit me Malin e Zi, ku i është dorëzuar autoriteteve malazeze pasi ishte shtetas i këtij vendi.
Operacioni i shpëtimit është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit e Pejës.
ShKShMK u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, duke theksuar se edhe në prag të pranverës, kushtet atmosferike mund të jenë të paparashikueshme dhe sfiduese.



Të tjera
Lajme
Emisari i BE-së Karen Pierce, fokus dialogu Kosovë – Serbi
Emisari i Bashkimit Evropiane për dialogun
Lajme
Nis fushata e VV-së në Ferizaj
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur zyrtarisht fushtën
Lajme
Subvencionimi i aviokompanive nis nga e hëna, kaq do të fitojnë
Nga e hëna do të nisë