EULEX mobilizohet pas paralajmërimit për barrikada-Mbi 100 policë stacionohen në Veri

Më 31 tetor pritet të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato RKS – Republika e Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Pas këtyre paralajmërimeve Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shtuar numrin e patrullimeve në veri të Kosovës.

LEXO EDHE KETE

Lajmi i fundit: Ambasadorët e QUINT-it dalin nga objekti i Qeverisë

Ky mision ka konfirmuar për Gazetën se një njësit i përbërë prej 105 policëve është i stacionuar në Mitrovicë.

“Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë, të stacionuar në Mitrovicë. NJPS është duke kryer patrullime mobile vëzhgimi të përditshme në pjesën veriore të Kosovës, dhe Misioni kohëve të fundit i ka shtuar patrullimet mobile vëzhguese të tij për ta përmirësuar pasqyrimin e tij për situatën”, thuhet në përgjigjen e EULEX dhënë Insajderit.

Që nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe sikurse KM, PZ, PR konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 automjete me targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Ndonëse, nga ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se deri më tani kthim të targave në RKS e kanë bërë vetëm 18 persona.

“Nga Regjioni 06 – kemi 6 automjete, nga Regjioni 02- kemi  7 automjete, nga Regjioni 04  – kemi 3 automjete dhe nga Regjioni 01 – kemi 2  automjete”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet.

Tensionet Kosovë-Serbi për targat

Afati për regjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Botapress.info/

ngjashme